(VIDEO) "Spektatori im i përjetshëm"/ Ema Andrea rrëfen gjestin simbolik që bën në çdo shfaqje pas humbjes së vëllait të saj

Aktorja Ema Andrea ka folur me emocione të forta për lidhjen me vëllanë e saj të ndjerë, gazetarin sportiv Enea Andrea, gjatë një interviste në emisionin “Goca dhe Gra”.

Ajo tregoi se në çdo premierë të shfaqjeve të saj mban gjithmonë një karrige bosh të rezervuar për të, si një mënyrë për ta ndjerë pranë në çdo moment të rëndësishëm të karrierës.

“Në fakt ajo është bosh për të tjerët sepse për mua është gjithmonë plot. Është spektatori im i përjetshëm,” u shpreh ajo.

Ema Andrea tha se humbja e vëllait ka ndryshuar mënyrën se si i përjeton sukseset në skenë dhe në film, duke i bërë momentet e gëzimit më të përziera emocionalisht.

“Tani në këtë situatë për mua, të gjitha gëzimet janë të hidhura, siç janë premierat. Arti ka qenë gëzimi im, unë e kam patur festë çdo natë skene apo filmi. Por tani janë të hidhura të them të drejtën,” tha aktorja.

Ajo shtoi se ky gjest i vogël është kthyer në një forcë për të, duke e ndihmuar të vazhdojë punën në skenë dhe të përballojë emocionet.

“Në fakt ajo është bosh për të tjerët sepse për mua është gjithmonë plot. Është motivi që më ka shtyrë deri në fund që të mbaroj shfaqjen edhe të shijoj filmin,” u shpreh ajo.

Aktorja pranoi se shpesh e imagjinon reagimin e vëllait pas çdo performance, duke e kthyer kujtimin e tij në motiv për të vijuar rrugën artistike.