Ekskluzive/ Kampionati anulohet, Jasir Asani zbulon planet e papritura pas situatës në Iran
Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Jasir Asani, një nga protagonistët kryesorë të kualifikimit në Euro 2024, ka folur së fundmi për situatën e paqartë me të cilën po përballet në karrierën e tij klubistike.
Për shkak të zhvillimeve të fundit gjeopolitike në Lindjen e Mesme, kampionati iranian ku ai aktivizohet është ndërprerë para kohe.
Në një intervistë në "Sport Focus", në "Ora news", Asani konfirmoi se liga është anuluar dhe nuk do të vazhdojë më.
“Me sa kam folur me pjesën e klubit, ka shumë ditë që nuk bëjnë stërvitje për shkak të situatës. Kampionati është anuluar dhe nuk do të vazhdojë,” shpjegoi ai. Sipas informacionit nga klubi i tij, sezoni konsiderohet i mbyllur.
Pavarësisht ndërprerjes së papritur, sulmuesi kuqezi theksoi se ekipi i tij u shpall kampion, duke përmbushur objektivin kryesor dhe duke gëzuar tifozët.
Aktualisht, Asani ndodhet me pushime. Ai ka kaluar kohë me familjen e tij në Maqedoni dhe ndodhet edhe në Shqipëri. Megjithatë, pushimet nuk do ta mbajnë larg fushës së blertë.
Duke treguar profesionalizëm të lartë, ai ka zbuluar se po planifikon të nisë një fazë përgatitore individuale për të ruajtur formën fizike. “Tani duhet që edhe unë të filloj stërvitjen. Do iki ndoshta në Dubai, te një ekip ku njoh trajnerin. Do të stërvitem atje derisa të marrim një sinjal pozitiv që mund të kthehemi në Iran për të nisur përgatitjet për sezonin e ri,” deklaroi futbollisti. Ky plan stërvitor do ta ndihmojë Asanin të mbetet aktiv dhe në formën më të mirë të mundshme, ndërkohë që pret qetësimin e situatës dhe një sinjal për t’u rikthyer në klubin e tij në Iran për të nisur sezonin e ardhshëm.
Ndiqni intervistën e plotë:
