Problematika me bajamet, nga rastet më të thjeshta, tek “eleminimi” i tyre përmes kirurgjisë
Bajamet janë inde limfatike që ndodhen në fytin tonë dhe kanë rol mbrojtës për organizmin tonë. Ato ndihmojnë në “kapjen” dhe eliminimin e baktereve, viruseve dhe substancave të tjera të dëmshme, që hyjnë në trupin tonë përmes gojës dhe hundës. Sipas mjekut të famshëm Galeni, ato njiheshin që në lashtësi dhe janë përshkruar si pjesë të rëndësishme për shëndetin e përgjithshëm të trupit tonë.
Problemi më i zakonshëm që lidhet me to është tonsiliti (pezmatimi i bajameve), i cili shfaqet më shpesh te fëmijët, por prek edhe moshat më të mëdha. Simptomat e tij përfshijnë kryesisht dhimbje fyti, temperaturë, vështirësi në gëlltitje dhe ënjtje të gjendrave në qafë.
Shakatarët kryesorë të pezmatimit të bajameve mbeten viruset, por ndonjëherë dhe baktere si streptokoku,i cili mund të trajtohet me ilaçe ose antibiotikë.
Ekzistojnë dy forma të tonsilitit, si akut dhe kronik. Tonsiliti akut shfaqet papritur, pa simptoma paralajmëruese dhe zakonisht është më i fortë, por kalon brenda pak ditësh ose javësh. Tonsiliti kronik është një inflamacion afatgjatë, ai mund të shkaktojë episode të përsëritura dhe shpesh lidhet me infeksione të pashëruara, pirjen e duhanit, ndotjen e ajrit apo alergjitë e ndryshme. Në disa raste trajtimi mund të kërkohet edhe ndërhyrja kirurgjikale.
Përveç problematikës së lartpërmendur, ndeshemi dhe me formimin e gurëve në bajame, të cilët mund të shkaktojnë erë të keqe të gojës, dhimbje, si dhe hipertrofinë e tyre (zmadhimin), duke shkaktuar vështirësi në frymëmarrje, gërhitje gjatë gjumit. Në varësi të gradës ku ndodhen, ato mund trajtohen me ilaçe e në raste të rënda mund të kërkohet heqja e tyre përmes kirurgjisë.
Operacioni i heqjes së bajameve (tonsilektomia) rekomandohet në rastet kur infeksionet përsëriten shpesh ose kur bajamet shkaktojnë probleme në frymëmarrje dhe gëlltitje. Ai kryhet me anestezi të përgjithshme dhe zgjat rreth 30 minuta, duke përdorur teknika të ndryshme si kirurgjia klasike, diatermia, lazeri apo radiofrekuenca.
Pas ndërhyrjes, pacienti duhet të pushojë dhe të ndjekë udhëzimet e mjekut për një rikuperim sa më të shpejtë e të sigurt.
