HUMBI OSCAR-in! Pavel Talankin, nuk u lejua ta mbante në kabinën e avionit E dorëzoi për ta futur në bagazh, por nuk e gjeti më
Një fitues i Oscar ka humbur statujën e tij pasi u detyrua ta regjistronte në aeroport. Pavel Talankin nuk arriti ta mertë më pasi çmimi u zhduk gjatë fluturimit. Autoritetet dhe kompania ajrore po hetojnë rastin.
Një statujë Oscar-i është zhdukur pasi fituesi i çmimit, Pavel Talankin, nuk u lejua ta merrte me vete në kabinën e avionit gjatë një fluturimi nga New York-u drejt Gjermanisë.
Talankin, i cili fitoi çmimin për dokumentarin “Mr Nobody Against Putin”, e kishte vendosur në bagazhin e dorës.
Por në aeroportin ndërkombëtar John F. Kennedy, kontrolli i sigurisë e ndaloi, duke argumentuar se objekti mund të përdorej si armë.
Për këtë arsye, ai u detyrua ta dorëzonte për ta futur në bagazh, edhe pse fillimisht nuk kishte planifikuar të bëntë pagesë për një të tillë.
Pas mbërritjes në Gjermani, ai zbuloi se çmimi nuk ishte më aty.
Kompania ajrore Lufthansa konfirmoi se po e trajton rastin me “kujdes dhe urgjencë”, duke zhvilluar një kërkim të brendshëm për të gjetur statujën dhe për t’ia kthyer pronarit sa më shpejt të jetë e mundur.
Sipas producentes ekzekutive të dokumentarit, Robin Hessman, ajo ndihmoi në telefon Talankin për të folur me zyrtarët e sigurisë, pasi ai nuk flet rrjedhshëm anglisht.
Ajo shtoi se Talankin kishte udhëtuar edhe më parë me Oscar-in dhe me çmime të tjera si BAFTA, pa hasur probleme të tilla.
“Një gjë e tillë nuk do t’i kishte ndodhur kurrë Leonardo DiCaprio-s,” u shpreh ajo, duke vënë në dukje atë që e cilëson si trajtim të pabarabartë.
Talankin zakonisht e merr me vete çmimin në udhëtime për ta shfaqur gjatë eventeve dhe projeksioneve të filmit.
Gjatë kësaj vizite në Nju Jork, ai ua kishte kaluar statujën studentëve gjatë një sesioni pyetje-përgjigje pas shfaqjes së dokumentarit.
Statuja Oscar është rreth 34 cm e gjatë dhe peshon afërsisht 3.9 kilogramë. Kostoja e prodhimit të saj varion nga 400 deri në 1000 dollarë.
Dokumentari për të cilin është vlerësuar trajton përhapjen e propagandës së luftës në një shkollë ruse pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.
Për shkak të kësaj tematike, Talankin është detyruar të largohet nga Rusia dhe aktualisht jeton në Evropë, për arsye sigurie.
Filmi është ndaluar në disa platforma në Rusi, me arsyetimin se promovon ekstremizëm dhe terrorizëm.

