Lufta në Iran shkakton krizë te plehrat kimike! Deri në 10 miliardë vakte në javë rrezikojnë të mos prodhohen

Lufta në Iran dhe bllokimi i transportit në Gjirin Persik po godasin zinxhirin global të ushqimit. Ekspertët paralajmërojnë mungesa dhe rritje çmimesh, me ndikim më të fortë në vendet e varfra.

Ndërprerja e furnizimeve globale me plehra kimike dhe përbërësit e tyre kryesorë, si pasojë e luftës në Iran dhe tensioneve në Gjirin Persik, po rrezikon seriozisht prodhimin ushqimor në botë. Bllokimi i transportit detar përmes Ngushticës së Hormuzit ka penguar shpërndarjen e lëndëve bazë për bujqësinë, duke sjellë pasoja të drejtpërdrejta në zinxhirin global të ushqimit.

Sipas Svein Tore Holsether, drejtor ekzekutiv i kompanisë ndërkombëtare të plehrave Yara, aktualisht rreth 500 mijë ton pleh azotik nuk po prodhohen në nivel global. Kjo situatë, sipas tij, mund të përkthehet në deri në 10 miliardë vakte më pak çdo javë në mbarë botën. Ai paralajmëron se mungesa e plehrave do të ulë ndjeshëm rendimentin bujqësor, me disa kultura që mund të prodhojnë deri në 50% më pak që në sezonin e parë.

Ndërkohë, fermerët po përballen me rritje të ndjeshme të kostove, nga energjia dhe karburanti deri te inputet bujqësore, përfshirë plehrat, çmimi i të cilëve është rritur me rreth 80% që nga nisja e konfliktit. Megjithatë, çmimet e produkteve bujqësore nuk janë rritur në të njëjtin ritëm, duke i vendosur prodhuesit në një pozitë të vështirë ekonomike.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për një “luftë ofertash” për ushqimin mes vendeve të pasura dhe atyre më të varfra. Në këtë skenar, vendet me më shumë kapacitete financiare mund të sigurojnë furnizimet, ndërsa shtetet në zhvillim rrezikojnë të mbeten pa akses, duke përkeqësuar urinë dhe pasigurinë ushqimore.