Bolsonaro drejt uljes së dënimit! Kongresi brazilian miraton ligjin që ul dënimin për grushtin e shtetit
Kongresi brazilian miratoi një ligj që mund të ulë ndjeshëm dënimin e Jair Bolsonaros, duke rrëzuar veton e presidentit Lula. Ky vendim thellon përplasjet politike dhe tregon forcimin e opozitës konservatore në Brazil.
Kongresi i Brazilit ka rrëzuar veton e presidentit Luiz Inácio Lula da Silva dhe ka miratuar një ligj që mund të ulë ndjeshëm dënimin me burg për ish-presidentin Jair Bolsonaro, i dënuar për përpjekje për grusht shteti pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2022.
Bolsonaro u dënua vitin e kaluar me 27 vite burg, pasi u shpall fajtor për përpjekje për të mbajtur pushtetin në mënyrë të paligjshme.
Megjithatë, Kongresi, ku dominojnë forcat konservatore, votoi për të ndryshuar mënyrën e llogaritjes së dënimeve për krimet që lidhen me tentativa për grusht shteti.
Më parë, për vepra për vepra të tilla gjykata i mblidhte në shumatore disa akuza bashkë, ndërsa ligji i ri ul maksimumin e dënimit për këtë kategori krimi dhe nuk lejon që dënimet të grumbullohen.
Si rezultat, dënimi i Bolsonaros mund të reduktohet në pak më shumë se dy vite.
Presidenti Lula kishte tentuar ta bllokonte këtë nismë përmes vetos, por ajo u rrëzua nga një shumicë e konsiderueshme ligjvënësish në një seancë të tensionuar.
Ligji ende mund të sfidohet në Gjykatën e Lartë.
Në mars, Bolsonaro, 71 vjeç, u lejua të kalojë përkohësisht në arrest shtëpie për shkak të problemeve shëndetësore.
Ish-kapiteni i ushtrisë, që drejtoi vendin nga 2019 deri në 2022, u akuzua gjithashtu se kishte dijeni për plane për të vrarë Lulën dhe kandidatin për zëvendëspresident Geraldo Alckmin, sipas vendimit të gjykatës.
Komploti dështoi për shkak të mungesës së mbështetjes nga drejtuesit e lartë të ushtrisë, dhe Lula mori detyrën normalisht më 1 janar 2023.
Votimi u prit me ovacione në sallë, ndërsa Flávio Bolsonaro djali i madh i ish-presidentit dhe senator, e quajti vendimin një dhuratë të veçantë për ditëlindje.
Më shumë se dy të tretat e Kongresit votuan pro ligjit, duke treguar një mbështetje të fortë politike për lehtësimin e dënimeve për raste të tilla.

