Kapet me mbi 44 kg ko*ainë në autostradë, arrestohet korrieri shqiptar në Itali
Një shtetas shqiptar është arrestuar nga policia italiane pasi u kap me një sasi të konsiderueshme kokaine në automjetin e tij, gjatë një kontrolli në autostradë pranë Fiorenzuola-s.
Sipas mediave italiane, i dyshuari po udhëtonte përgjatë Autostradës së Diellit në drejtim të Adriatikut, ndërsa në SUV-in e tij fshihte një ngarkesë droge me vlerë rreth gjysmë milioni euro. Operacioni u zhvillua nga policia rrugore pranë zonës së shërbimit Arda Ovest, ku efektivët ndaluan mjetin për kontroll rutinë.
Që në momentet e para, drejtuesi i automjetit u shfaq i tensionuar dhe dha deklarata të paqarta për arsyen e udhëtimit. Mungesa e bagazheve ngriti dyshime shtesë tek policia, e cila vendosi të kryejë një kontroll më të imtësishëm të mjetit.
Gjatë kontrollit, u zbulua një ndarje e fshehtë brenda SUV-it, ku ishin fshehur 40 pako të mbështjella me celofan, që përmbanin në total 43 kilogramë kokainë. Analizat e kryera nga policia shkencore e Piacenzës konfirmuan se bëhej fjalë për lëndë narkotike.
Hetimet vijuan edhe më tej, duke çuar në kontrollin e një automjeti të dytë në emër të të arrestuarit. Në këtë mjet u gjet një dysheme e dyfishtë, ku ishte fshehur edhe një kilogram tjetër kokainë, duke e çuar totalin e drogës së sekuestruar në mbi 44 kilogramë.
Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan gjithashtu një shumë parash mbi 10 mijë euro, që dyshohet se lidhet me aktivitetin kriminal.
Ndërhyrja u krye rreth orës 20:00 nga një patrullë e policisë rrugore të Lodit, pjesë e nënseksionit autostrada të Guardamiglio (Piacenza Nord). Në përfundim të veprimeve, shtetasi shqiptar u arrestua dhe u dërgua në burgun e Piacenzës, ku do të përballet me akuzën për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen.
Autoritetet italiane theksuan se ky operacion është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të policisë rrugore për të luftuar trafikun e drogës dhe për të garantuar sigurinë në akset kryesore të vendit.

