Nga dielli te muzika/ Metodat natyrale që ndihmojnë në qetësimin e stresit dhe përmirësimin e humorit
Stresi është një nga faktorët që ndikon më shumë në shëndetin e trupit dhe mendjes. Kur jemi të stresuar, trupi prodhon një hormon të quajtur kortizol, i cili mund të dobësojë imunitetin dhe të na bëjë më të lodhur dhe më të ndjeshëm ndaj problemeve shëndetësore.
Sipas këshillave të specialistëve, ka disa mënyra të thjeshta që mund të ndihmojnë në uljen e stresit në jetën e përditshme.
Dalja në ajër të pastër dhe qëndrimi për pak minuta në diell mund të ndihmojë në qetësimin e mendjes dhe përmirësimin e humorit.
Edhe frymëmarrja e thellë luan rol të rëndësishëm, sidomos në momentet e ankthit, pasi ndihmon trupin të relaksohet. Aktiviteti fizik në shtëpi, si ecja në vend, ushtrimet e lehta apo kërcimi, ndihmon në çlirimin e tensionit dhe rrit ndjenjën e mirëqenies.
Disa ushqime si salmoni, spinaqi apo çokollata e zezë lidhen me uljen e hormoneve të stresit dhe përmirësimin e gjendjes së përgjithshme. Po ashtu, meditimi konsiderohet një mënyrë efektive për qetësimin e mendjes dhe fokusimin më të mirë.
Muzika ka gjithashtu ndikim pozitiv, pasi ndihmon në krijimin e ndjenjës së kënaqësisë dhe largon mendimet negative gjatë aktiviteteve të përditshme.
Një rol të rëndësishëm ka edhe qëndrimi pozitiv ndaj situatave, si dhe lidhjet me familjen dhe njerëzit e afërt, të cilat ndihmojnë në uljen e stresit dhe rritjen e mirëqenies emocionale.
Në përgjithësi, një stil jetese më i qetë, me më shumë aktivitet, ushqim të shëndetshëm dhe momente relaksi, mund të ndihmojë ndjeshëm në menaxhimin e stresit të përditshëm.

