Nëse vuani nga artriti, këto ushqime mund t’ju përkeqësojnë gjendjen. Çfarë duhet të shmangni
Inflamacioni është një reagim natyral i sistemit imunitar ndaj toksinave, infeksioneve ose dëmtimeve në trup. Ai ndihmon organizmin të mbrohet dhe të riparojë indet e dëmtuara. Megjithatë, kur bëhet kronik, mund të kthehet në problem, pasi trupi fillon të sulmojë vetveten dhe lidhet me sëmundje si artriti, sëmundjet e zemrës, diabeti, depresioni dhe Alzheimeri.
Për të ndihmuar në uljen e inflamacionit, ekspertët këshillojnë kujdes me ushqimin e përditshëm, sidomos te personat që vuajnë nga artriti.
Alkooli mund ta përkeqësojë inflamacionin dhe duhet kufizuar sa më shumë. Edhe buka e bardhë, si një produkt i përpunuar, mund të rrisë reagimet inflamatore në trup, ndaj rekomandohen drithërat e plota.
Akullorja dhe pijet e gazuara përmbajnë shumë sheqer, i cili lidhet me rritjen e inflamacionit dhe përkeqësimin e dhimbjeve. Po ashtu, patatet e skuqura dhe patatinat janë të pasura me yndyra të pashëndetshme dhe kripë, që ndikojnë negativisht në gjendje.
Mishi i kuq, sidomos kur gatuhet në temperatura të larta, mund të rrisë inflamacionin, ndërsa margarina përmban yndyra artificiale që nuk janë të dobishme për organizmin.
Specialistët sugjerojnë që në vend të këtyre ushqimeve të konsumohen produkte më të shëndetshme si fruta, perime, arra, fara dhe yndyra natyrale si avokado.

