Wall Street Journal: 90 miliardë eurot e BE-së mund të mos mjaftojnë për Ukrainën, pritet nevojë për fonde të reja
Bashkimi Europian mund të ketë nevojë të ofrojë edhe më shumë financim për Ukrainën vitin e ardhshëm, përveç paketës së fundit prej rreth 90 miliardë eurosh, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare që citojnë burime diplomatike.
Së fundmi, Brukseli ka finalizuar një kredi pa interes për Kievin, e cila pritet të nisë të shpërndahet në tremujorin e dytë të vitit 2026.
Ky vendim u vlerësua nga drejtuesit e BE-së si një mbështetje e rëndësishme për Ukrainën në kushtet e luftës me Rusinë.
Megjithatë, sipas burimeve diplomatike, shumat e miratuara mund të mos jenë të mjaftueshme për nevojat financiare të Ukrainës në vitet në vijim. Vendi pritet të ketë një mungesë buxhetore prej miliarda eurosh, përfshirë rreth 19 miliardë euro vetëm për vitin e ardhshëm.
Kjo situatë mund ta detyrojë Bashkimin Europian të shqyrtojë një paketë të re ndihme brenda 12 muajve të ardhshëm.
Ndërkohë, është përmendur se Ukraina do të kthejë këto fonde vetëm pas përfundimit të luftës dhe në rast se Rusia paguan dëmshpërblime, një skenar që Moska e ka kundërshtuar vazhdimisht.

