“Tani fokusi im është riorganizimi i lëvizjes”/ Orban largohet nga parlamenti pas humbjes historike
Kryeministri hungarez në largim, Viktor Orban, ka bërë të ditur se nuk do të marrë vendin e tij në parlamentin e ri, pas humbjes së partisë së tij në zgjedhjet e fundit në Hungari.
Në një deklaratë video, Orban u shpreh se mandati parlamentar që kishte fituar si drejtues i listës Fidesz-KDNP i përket në fakt partisë, ndaj ai ka vendosur ta kthejë atë.
Sipas tij, në këtë moment fokusi i tij nuk është parlamenti, por riorganizimi i lëvizjes politike që përfaqëson.
Ky zhvillim vjen pak ditë pas zgjedhjeve të 12 prillit, ku partia e tij Fidesz humbi ndaj Partisë Tisza të Peter Magyar, e cila siguroi shumicën e vendeve në parlament.
Orban ka bërë të ditur gjithashtu se struktura e grupit parlamentar të Fidesz do të ndryshojë, ndërsa drejtimin e ri të fraksionit do ta marrë Gergely Gulyas.
Javën e ardhshme pritet të mbahet një asamble kombëtare e partisë, ndërsa në qershor është planifikuar një kongres për rifreskimin e saj.
Edhe pse largohet nga parlamenti, Orban ka lënë të kuptohet se synon të mbetet në krye të partisë, nëse merr mbështetjen e nevojshme në kongres.
Humbja në zgjedhje konsiderohet një nga zhvillimet më të mëdha politike në karrierën e tij dhe pritet të ndikojë në marrëdhëniet e Hungarisë me Bashkimin Europian, SHBA-në, Rusinë dhe Ukrainën.

