Irani dhe SHBA drejt rifillimit të bisedimeve, Araghchi në Islamabad për takime kyçe
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, u takua sot me shefin e ushtrisë së Pakistanit në kuadër të përpjekjeve të reja për të ringjallur bisedimet e bllokuara të paqes mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.
Një delegacion iranian i kryesuar nga Araghchi zhvilloi një takim me marshallin e Asim Munir, në të cilin morën pjesë edhe ministri i Brendshëm dhe këshilltari për sigurinë kombëtare i Pakistanit, sipas burimeve zyrtare.
Araghchi, i cili mbërriti në Islamabad rreth mesnatës, pritet të takohet gjithashtu me kryeministrin Shehbaz Sharif.
Ministria e Jashtme iraniane bëri të ditur se ministri do të diskutojë “zhvillimet më të fundit rajonale, si dhe përpjekjet e vazhdueshme për paqe dhe stabilitet në rajon”.
Burime të sigurisë në Pakistan thanë se Araghchi mbërriti me një përgjigje ndaj propozimeve amerikane, të përcjella gjatë vizitës treditore të Munir në Teheran javën e kaluar.
Pakistani ka ndërmjetësuar mes dy palëve dhe më herët gjatë këtij muaji priti delegacione nga Irani dhe SHBA, përfshirë nënpresidentin amerikan JD Vance, për një raund të parë bisedimesh të drejtpërdrejta që synonin përfundimin e luftës së nisur nga SHBA dhe Izraeli më 28 shkurt.
Shtëpia e Bardhë njoftoi dje se i dërguari special amerikan Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner, do të udhëtonin drejt Islamabadit për bisedime me zyrtarë iranianë.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ata do të takohen me Araghchi, pasi Irani ka përjashtuar negociatat e drejtpërdrejta.
Uashingtoni ka sinjalizuar gatishmëri për një raund të ri bisedimesh me negociatorët iranianë, pasi takimi i drejtpërdrejtë i zhvilluar më herët këtë muaj në Islamabad nuk arriti rezultate konkrete.
Nga ana tjetër, Irani ka refuzuar deri tani zhvillimin e një raundi të dytë bisedimesh, mes tensioneve të vazhdueshme lidhur me Ngushticën e Hormuzit dhe çështje të tjera kyçe.

