Egnatia, gati të emërojë trajner ish-mesfushorin e Kombëtares

Burim Kukeli, ish-futbollisti i kombëtares sonë kuqezi, është kandidati kryesor për të drejtuar Egnatian. Kampionët e vendit në fuqi tashmë e kanë zyrtarizuar ndarjen me Edlir Tetovën, i cili bëri epokë në Rrogozhinë, duke fituar gjithçka në rang kombëtar, ndaj në fund të sezonit do të mësohet pasuesi i tij. Burime të sigurta pranë presidencës rrogozhinase bëjnë me dije se Kukeli është në krye të listës së dëshirave për stolin e Egnatias. Kontaktet me të kanë nisur dhe gjërat janë në rrugën e duhur të konkretizimit.

Kukeli, lindur më 16 janar 1984, është ish-futbollist profesionist që luante si mesfushor-mbrojtës, aktualisht trajner i ekipit U-21 të FC Zürich. I lindur në Gjakovë, ai përfaqësoi kombëtaren e Shqipërisë.

Karrierën e nisi te Zofingen (2004–2005, 24 ndeshje), më pas te Schötz për dy sezone. Më 2008 kaloi te Luzern, ku zhvilloi mbi 100 ndeshje në elitën zvicerane. Nga 2012 deri më 2017 luajti për Zürich (mbi 80 ndeshje kampionati), periudhë e shoqëruar me dëmtime serioze. Më 2017 u transferua te Sion për rreth 200.000 €, ndërsa më vonë luajti edhe te Kriens.

Në nivel ndërkombëtar, Kukeli debutoi më 2012 si kuqezi dhe grumbulloi mbi 20 ndeshje me Shqipërinë. Ishte pjesë e ekipit historik që u kualifikua dhe mori pjesë në “Euro 2016”, ku luajti dy ndeshje në fazën e grupeve.

Pas tërheqjes nga futbolli i luajtur, Kukeli nisi karrierën si trajner. Më 2023 drejtoi U-21 e Grasshopper dhe më pas u bë pjesë e stafit të ekipit të parë. Më 2025 u emërua trajner i U-21 te Zürich. Si futbollist luante kryesisht si mesfushor shkatërrues, por edhe si qendërmbrojtës.