Autoriteti i Mediave Audiovizive rrit kontrollin në TikTok: dhjetëra përmbajtje të dëmshme të hequra

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka bërë publike të dhëna të reja mbi bashkëpunimin me qytetarët dhe platformën TikTok për identifikimin dhe heqjen e përmbajtjeve të dëmshme online.
Sipas njoftimit zyrtar, janë shqyrtuar gjithsej 80 ankesa të ardhura nga publiku, nga të cilat 29 janë vlerësuar si shkelje të ligjit. Si rezultat, 15 video dhe materiale audio janë hequr nga platforma, ndërsa 14 raste të tjera vijojnë të jenë në proces verifikimi.
Nga përmbajtjet e fshira, 6 video lidhen me ekspozimin e fëmijëve ndaj elementëve të rrezikshëm si pornografia, substancat e dëmshme dhe dhuna, ndërsa 9 të tjera janë klasifikuar për nxitje të dhunës dhe urrejtjes.
Ndërkohë, fenomeni i piraterisë mbetet shqetësues. Gjatë kësaj periudhe janë raportuar 609 raste, ku përfshihen 305 foto dhe 304 video. Të gjitha këto materiale janë fshirë nga platforma pas verifikimit.
Autoriteti thekson se çdo ankesë është trajtuar me përgjegjësi të plotë dhe në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, duke synuar rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e përdoruesve në hapësirën digjitale.
