Kjo është ngjyra që na ndihmon të zgjohemi më lehtë në mëngjes
Ngjyrat që përdorim në shtëpi nuk ndikojnë vetëm te estetika, por edhe te mënyra si flemë dhe si zgjohemi çdo ditë. Sipas studiuesve, psikologjia e ngjyrave luan një rol të rëndësishëm në gjendjen tonë emocionale dhe energjinë që kemi gjatë ditës.
Bluja e hapur konsiderohet një nga ngjyrat më të mira për gjumë, pasi krijon qetësi dhe relaks. Për këtë arsye përdoret shpesh në dhomat e gjumit për të ndihmuar në një pushim më të mirë gjatë natës.
Ndërsa për zgjimin dhe energjinë në mëngjes, në qendër janë nuancat e verdha dhe portokalli. Këto ngjyra lidhen me dritën natyrale dhe ndihmojnë trupin të “zgjohet” më lehtë. Ato ndikojnë në humor, rrisin energjinë dhe aktivizojnë trurin, duke e bërë më të lehtë nisjen e ditës.
Ekspertët shpjegojnë se e verdha ndihmon në rregullimin e ritmit biologjik, duke krijuar ndjesinë e një mëngjesi me dritë dhe pozitivitet. Portokallia ka një efekt të ngjashëm, duke rritur entuziazmin dhe ndjenjën e gjallërisë.
Megjithatë, zgjimi nuk varet vetëm nga ngjyrat. Pas një nate gjumi, trurit i duhet një periudhë për t’u rikthyer plotësisht në aktivitet. Kjo mund të zgjasë nga 15 deri në 30 minuta, ndërsa në disa raste edhe më gjatë.
Në fund, një kombinim i një ambienti të përshtatshëm, gjumit të rregullt dhe detajeve si ngjyrat mund të ndihmojë që mëngjesi të nisë më lehtë dhe me më shumë energji.

