I dyshuar për vr*sjen e një 14-vjeçareje, prokuroria ngre zyrtarisht akuza ndaj këngëtarit “D4vd”: Kr*m brutal dhe i tmerrshëm
Prokurori i Qarkut të Los Angeles, Nathan Hochman, ka njoftuar zyrtarisht ngritjen e akuzave për vrasje të shkallës së parë ndaj këngëtarit David Anthony Burke, i njohur me emrin artistik D4vd.
Sipas prokurorisë, rasti lidhet me vdekjen e 14-vjeçares Celeste Rivas Hernandez, ngjarje të cilën autoritetet e kanë cilësuar si “vrasje brutale dhe të tmerrshme”. Hetimet përfshijnë gjithashtu akuza për akte seksuale me të mitur dhe fshehje të trupit të viktimës.
Hochman deklaroi se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 23 prill 2025, kur adoleshentja ka shkuar në banesën e Burke në Hollywood Hills dhe më pas nuk është parë më e gjallë.
Më 8 shtator 2025, sipas autoriteteve, mbetjet e saj të dekompozuara dhe të copëtuara u gjetën në një automjet të regjistruar në emër të këngëtarit, çka shënoi edhe nisjen e hetimeve.
Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj Burke rëndojnë tre akuza kryesore, përfshirë vrasje me paramendim me rrethana rënduese të lidhura me përfitim financiar, si dhe vrasje të një dëshmitari në kuadër të një hetimi tjetër penal.
Sipas akuzës, viktima dyshohet të ketë qenë dëshmitare në një hetim për vepra seksuale të mëparshme të kryera nga Burke kur ajo ishte nën moshën 14 vjeç.
Autoritetet nuk kanë përjashtuar mundësinë që në një fazë të mëvonshme të kërkojnë edhe dënimin me vdekje.
David Anthony Burke, i njohur si D4vd, është një këngëtar amerikan nga Houston, Texas, i njohur për këngët “Here With Me” dhe “Romantic Homicide”. Ai publikoi albumin e tij debutues në prill 2025 dhe ka miliona dëgjues në platformat muzikore dhe rrjetet sociale.
Pas gjetjes së trupit të pajetë të 14-vjeçares në një automjet të regjistruar në emrin e tij, artisti anuloi turneun botëror dhe u tërhoq nga jeta publike.