Babai i Selin pas fitores në BBV5/ Netë ankthi, emocione të forta dhe reagimi i parë i vajzës
Babai i fitueses së Big Brother VIP Albania 5, Toni Bollati, ka reaguar menjëherë pas triumfit të vajzës së tij, Selin, duke ndarë emocionet dhe sfidat që ka përjetuar familja gjatë gjithë këtij rrugëtimi.
Në një intervistë, ai ka treguar se nata finale ka qenë tepër e vështirë emocionalisht, ndërsa pranoi se e ka ndjekur spektaklin me shumë ankth dhe përqendrim maksimal.
“Mbrëmja e 18 shkurtit ka qenë një nga netët më të vështira, me shumë emocione. E kam pritur me ankth fillimin e spektaklit. Gjatë gjithë kohës kam qenë i tensionuar, doja ta ndiqja çdo detaj. Ka qenë një emocion i madh për ne si familje. Periudha që Selin ka qenë në BBV ka qenë shumë e lodhshme dhe stresuese, edhe largësia më ka rënduar emocionalisht,” u shpreh ai.
Ai shtoi se ndjen keqardhje edhe për konkurrentët e tjerë, duke e krahasuar garën me një kampionat ku vetëm një fiton.
“Është si një kampionat, dikush e fiton kupën dhe ajo shkoi për mbretëreshën time,” tha ai me emocion.
Sa i përket kontaktit me Selin pas finales, Toni Bollati tregoi se kanë komunikuar shumë pak, ndërsa ajo ndodhet ende e lodhur nga përjetimet e spektaklit.
“Edhe ajo është e lumtur dhe mirënjohëse, por duket e lodhur. Është normale, i duhet kohë të rikuperohet dhe të takohet me familjen dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur,” përfundoi ai.