Libani përballë “dy zgjedhjeve”/ Luftë apo paqe, SHBA konfirmon bisedimet me Izraelin në Uashington

Bisedimet mes Libani dhe Izraeli pritet të vijojnë këtë javë në Uashington, në nivel ambasadorësh, me ndërmjetësimin e SHBA-së.
Një zyrtar amerikan bëri të ditur se takimi do të mbahet të enjten dhe synon të vazhdojë kontaktet e nisura më 14 prill. Këto janë ndër bisedimet e para të drejtpërdrejta mes dy vendeve që nga viti 1993.
Nga pala libaneze, qëllimi kryesor është ndalimi i armiqësive dhe zgjidhja e situatës në jug të vendit. Presidenti i Libanit e sheh procesin si një mundësi për të shmangur përshkallëzimin dhe për të arritur një stabilitet më të qëndrueshëm.
Nga ana tjetër, Benjamin Netanyahu ka vendosur si prioritet çështjet e sigurisë në kufi. Një nga kërkesat kryesore të Izraelit në këto bisedime mbetet çarmatimi i Hezbollah.
SHBA-të po përpiqen të mbajnë të hapur komunikimin mes dy palëve, me synimin për të ulur tensionet dhe për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm në rajon.

