Tronditet Bayerni, talenti Karl dëmtohet dhe humbet sfidën e kthimit me Realin

Lajme jo të mira për Bayern Munich në fundin e këtij sezoni. Talenti i ri Lennart Karl rrezikon të qëndrojë jashtë fushave për disa javë pas dëmtimit të pësuar së fundmi.

Klubi bavarez ka bërë të ditur se sulmuesi i lindur në vitin 2008 ka pësuar një tërheqje muskulore në bicepsin femoral të djathtë, e konfirmuar pas ekzaminimeve mjekësore.

Një situatë që e detyron të ndalet për një periudhë të pacaktuar, duke i hequr ekipit një element të rëndësishëm në një fazë delikate të sezonit.

Karl do të mungojë në ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve të UEFA Champions League kundër Real Madrid.

Jo vetëm kaq, ai pritet të humbasë edhe gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë përballë Bayer Leverkusen, si dhe, me shumë gjasa, edhe një eventuale gjysmëfinale në Champions.

Mungesa e tij konsiderohet e ndjeshme, duke parë ndikimin që ka pasur gjatë këtij sezoni.

I riu ka regjistruar 9 gola dhe 7 asistime në 36 paraqitje në të gjitha kompeticionet, përfshirë edhe shtatë ndeshje në Champions League.