Republika e barazisë para ligjit
Sot, në Shqipëri nuk kemi një debat politik normal. Politika shqiptare është kthyer në një mekanizëm mbijetese për aktorë të konsumuar nga luajtja e të njëjtit rol. Me moton gatopardiste “gjithçka duhet të ndryshojë, që gjithçka të mbetet siç ishte”, politika shqiptare e ka humbur sensin e misionit si arti i së mundshmes.
Në Shqipëri është ndërtuar një sistem ku pushteti nuk balancohet, por grumbullohet. Grumbullohet pushtet për të dominuar shtetin. Parlamenti është kthyer në një zgjatim të ekzekutivit. Deputetët nuk përfaqësojnë më qytetarët, por disiplinën e partisë. Ligjet nuk debatohen, thjesht votohen. Kush del nga rreshti, përjashtohet dhe izolohet.
Reforma në drejtësi, e cila u shit si shpëtim kombëtar, sot është kthyer në një strukturë të brishtë. SPAK vepron në një mjedis presioni politik të vazhdueshëm. Nëse SPAK mbetet një ishull i izoluar, atëherë reforma e ka humbur betejën politike. Duhet lejuar drejtësia të bëjë punën e saj, por edhe politika duhet të distancohet nga modelet e zyrtarëve të degraduar deri në palcë. Për këtë nuk është e nevojshme një pritje e stërzgjatur.
Ndërkohë, institucionet e drejtësisë së re, që duhet të garantonin pavarësinë e sistemit, janë kthyer në institucione të mbyllura. Aty mungon transparenca dhe besueshmëria publike. Ekziston rreziku i drejtësisë selektive, ku disa goditen dhe të tjerët mbrohen. Pyetja që shtrohet sot në republikën tonë është: a jemi të gjithë të barabartë para ligjit?
Modeli aktual po e sfilit Shqipërinë. Shqiptarët përballen me rritje çmimesh dhe emigrim masiv. Mungon shpresa. Ekonomia funksionon për një grusht njerëzish.
Sot kemi një skenë me mjeshtër të xhonglimit në arenën e cirkut politik. Ajo që mungon janë kampionët e vërtetë në fushë, ata që i japin shpirt lojës.
Media? Një pjesë e madhe e saj mbahet në këmbë nga interesa ekonomike të lidhura me pushtetin. Pak janë ata që flasin lirshëm. Shumë janë ata që heshtin për të mbijetuar. Zërat kritikë ose izolohen, ose etiketohen. Kritika zbehet, ndërsa servilizmi shpërblehet.
Siguria? Siguria kombëtare fillon nga karakteri i lidershipit. Shtetet nuk dështojnë vetëm nga armiqtë e jashtëm, por nga dobësia e tyre e brendshme. Historia nuk i fal shtetet e papërgatitura. Ky është mësimi që duhet të marrim.
Ekonomia? E përqendruar në pak duar. Koncesione, PPP, tendera të përsëritur, kompani të njëjta që fitojnë vazhdimisht. Një kapitalizëm klientelist, ku suksesi nuk vjen nga konkurrenca, por nga lidhjet me pushtetin. Transparenca është minimale. Llogaridhënia pothuajse zero.
Opozita? E dobët, e përçarë, e pabesueshme. Lidershipi nuk është zhurmë, është nerv. Udhëheqësia ruan, nuk konsumon. Nuk kemi nevojë për njerëz që janë të gatshëm të djegin kombin deri në themel, vetëm për të sunduar mbi hirin e tij.
Kjo është arkitektura e sotme politike. Historia shqiptare e ka treguar këtë film edhe më parë. Në vitet ’30, shteti u personalizua. Pas Luftës së Dytë Botërore, pushteti u absolutizua. Sot, rreziku nuk vjen nga ideologjia, por nga apatia. Nga ideja se “kështu janë gjërat” dhe se “nuk ndryshon gjë”.
Sot rreziku vjen nga një sistem i butë, i qetë dhe i sofistikuar. Aty gjithçka duket normale, por asgjë nuk funksionon siç duhet.
Stabiliteti pa lirinë e vërtetë është vetëm një formë tjetër kontrolli. Liria formalisht ekziston, por frika dhe varësia e kufizojnë. Historia na mëson një gjë të thjeshtë: pushteti nuk vetëkufizohet kurrë. Ai ndalet vetëm nga shoqëria e qytetëruar.
Zgjedhjet tona janë pasqyra e shpirtit tonë, një dhunti e falur nga Zoti. Kur pushteti nuk ka frikë, qytetari duhet ta rikujtojë këtë. Jo me dhunë, jo me kaos, jo me zhurmë.
Demokracia nuk mbahet në këmbë vetëm nga vota. Ajo mbahet gjallë nga karakteri dhe morali i atyre që e ushtrojnë dhe e mbrojnë. Sepse arma më e fortë në historinë e njerëzimit është dedikimi moral.


