Ndalimi i Kanye West rrëzon një nga festivalet më të mëdha në Londër, ja sa ishte paguar artisti për të performuar
Festivali i njohur Wireless në Londër është anuluar pasi autoritetet britanike ndaluan hyrjen e reperit Kanye West, i njohur edhe si Ye.
Ai ishte planifikuar të ishte artisti kryesor i festivalit tre-ditor në Finsbury Park, por Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar vendosi që prania e tij nuk ishte në interes të publikut.
Menjëherë pas këtij vendimi, organizatorët njoftuan anulimin e gjithë eventit.
Festivali do të organizohej nga Live Nation, një nga kompanitë më të mëdha të koncerteve në botë, e cila kishte planifikuar rikthimin e West në Evropë. Ai pritej të paguhej rreth 11 milionë paund për tre net performancë.
Pas anulimit, i gjithë promovimi i festivalit u hoq nga interneti dhe rrjetet sociale. Organizatorët njoftuan se mbajtësit e biletave do të marrin rimbursim të plotë, ndërsa shumë fansa reaguan me zhgënjim për mungesën e një plani alternativ.
Vendimi i qeverisë u mbështet edhe nga organizata dhe figura politike në vend, përfshirë Keir Starmer, i cili ishte kundër ftesës së reperit në këtë festival.
Sipas burimeve, kishte paralajmërime më herët për rrezikun e organizimit të koncertit, por ato nuk u morën parasysh. Anulimi pritet të sjellë humbje të mëdha financiare, që mund të shkojnë deri në rreth 30 milionë dollarë dhe të ndikojnë në të ardhmen e festivalit.
Kjo performancë do të ishte rikthimi i parë i Kanye West në Mbretërinë e Bashkuar pas shumë vitesh, por planet u ndërprenë pas vendimit të autoriteteve.

