Parisi nderon Marilyn Monroe në 100-vjetorin e lindjes
“Cinémathèque française” ka çelur sot një ekspozitë të veçantë kushtuar 100-vjetorit të lindjes së ikonës së kinemasë, Marilyn Monroe.
Ekspozita, e hapur nga 8 prilli deri më 26 korrik 2026, synon të rishohë figurën e Monroe jo vetëm si simbol glamuri, por mbi të gjitha si aktore, duke vënë në qendër trashëgiminë e saj në ekran. Organizatorët theksojnë se qëllimi është të “festohet ylli dhe të ekspozohet aktorja”.
Vizitorët do të kenë mundësi të ndjekin rrugëtimin e saj në Hollywood nga viti 1946 deri në 1962, përmes materialeve arkivore, fotografive, objekteve filmike dhe dokumenteve që lidhen me imazhin dhe ndikimin e saj kulturor.
Në kuadër të këtij përvjetori, “Cinémathèque française” ka programuar edhe një retrospektivë të gjerë filmash, duke e kthyer këtë ekspozitë në një nga ngjarjet kryesore kulturore të pranverës në Paris.
Hapja e saj përkon simbolikisht me datën 8 prill 2026, duke shënuar një moment të rëndësishëm për adhuruesit e kinemasë klasike dhe figurës së pavdekshme të Marilyn Monroe.
