Si shtatzënia “riprogramon” trurin dhe ndikon tek shëndeti mendor

Një studim i ri i kryer nga Amsterdam UMC dhe publikuar në revistën Nature tregon se shtatzënia nuk ndryshon vetëm trupin, por edhe trurin e gruas.

Gjatë 9 muajve, truri pëson transformime të rëndësishme, sidomos në zonat që lidhen me vëmendjen, reagimin ndaj stimujve dhe marrëdhëniet sociale.

Studimi monitoroi 110 gra, duke përfshirë të parat dhe të dytat shtatzëni, dhe tregoi se çdo shtatzëni lë një shenjë të pashlyeshme në tru.

Ndryshimet më të forta ndodhin në zonat që ndihmojnë nënën të kuptojë foshnjën, të interpretojë të qarën e saj dhe të reagojë ndaj rreziqeve.

Gjithashtu, studimi nxjerr në pah lidhjen me shëndetin mendor.

Tek nënat e para, rreziku për depresion pas lindjes është më i lartë, ndërsa tek ato me fëmijën e dytë, ky rrezik mund të nisë që gjatë shtatzënisë.

Këto gjetje mund të ndihmojnë për parandalimin dhe trajtimin më të mirë të depresionit tek nënat.