Lahm kritikon Bundesligën: Gjermania rrezikon të mbetet pas si Italia!

Ish-kapiteni i Bayernit dhe kampioni i botës me Gjermania në vitin 2014, Philipp Lahm, ka ngritur alarmin për të ardhmen e futbollit gjerman në arenën ndërkombëtare.

Në një analizë të publikuar për The Guardian, ish-mbrojtësi thekson se Gjermania rrezikon të humbasë kontaktin me elitën europiane, nëse vazhdon me të njëjtën rrugë aktuale.

“Italia tashmë ka mbetur pas. Nëse Gjermania vijon kështu, i njëjti fat na pret edhe ne”, shkruan Lahm, duke iu referuar paraqitjeve jo bindëse të klubeve gjermane dhe italiane në UEFA Champions League.

Një nga shqetësimet kryesore të 42-vjeçarit lidhet me rikthimin e markimit klasik një më një, që sipas tij po përdoret gjithnjë e më shpesh në Bundesliga. Lahm kritikon këtë qasje, duke e konsideruar si një hap prapa në zhvillimin taktik të lojës.

Ai sjell si shembull Atalanta, që sipas tij e riktheu këtë stil loje duke triumfuar në UEFA Europa League 2024.

Megjithatë, Lahm shprehet i habitur nga përhapja e kësaj taktike: “Më çudit fakti që kaq shumë mbrojtës ndjekin kundërshtarët kudo, madje edhe në banjë; këtë e bën edhe Bayern Munich”, u shpreh ai me ironi.