PAMJE/ Pranvera në Liqenin e Tiranës, gjelbërim dhe aktivitete për çdo moshë

Pranvera ndihen më shumë në mjediset e Liqenit të Tiranës, një nga hapësirat më tërheqëse të kryeqytetit, që tashmë mbushet me njerëz të të gjitha moshave sapo dalin rrezet e para të diellit e deri në perëndim.

Qytetarët shijojnë mes gjelbërimit, natyrën e qetë, pasqyrën ujore të liqenit, ndërsa hapësirat multifunksionale shfrytëzohen nga grupmosha të ndryshme për pushim, argëtim dhe aktivitete të ndryshme.

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga Parku i Madh i Liqenit, duke vënë në dukje bukurinë natyrore dhe rëndësinë që kjo zonë ka për jetën e qytetarëve.

Liqeni Artificial i Tiranës ofron mundësi për ecje, vrap, çlodhje dhe aktivitete rekreative në një ambient të qetë dhe të gjelbëruar.

Nga pikëpamja gjeografike, parku shtrihet në një zonë kodrinore me pjerrësi të butë, ndërsa në pjesën jugore të tij ndodhet pasqyra ujore e liqenit artificial. Shtrirja e liqenit krijon gjire dhe gadishuj të vegjël, duke e bërë zonën veçanërisht piktoreske.

Ndërtimi i Parkut të Madh të Liqenit nisi në vitet ’50. Në vitin 1955 u krijua liqeni artificial nga ujërat përreth, si dhe u ndërtua me punë vullnetare një digë rreth 400 metra e gjatë, e cila shërben për të parandaluar vërshimin e ujërave drejt qytetit.

Në vitet 1957-1958 vijoi mbjellja e bimësisë dekorative dhe ndërtimi i infrastrukturës së parkut, duke e kthyer atë gradualisht në një nga hapësirat më të rëndësishme publike të kryeqytetit.