Llazo: Të rinjtë po heqin dorë nga libri, ja rreziku i madh që i kanoset brezit të ri
Në epokën dixhitale, debati nëse libri është pasion apo detyrim ka marrë një dimension të ri.
Ekspertja e arsimit, Ana Llazo, në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", tërhoqi vëmendjen mbi një ndryshim rrënjësor në zakonet e leximit te të rinjtë, ku qasja ndaj librit tradicional po zëvendësohet me shfletimin e shpejtë për informacion në internet.
Ky transformim, sipas saj, paraqet rreziqe të konsiderueshme për zhvillimin intelektual dhe krijues të brezit të ri.
" Pyetja që ju shtruat është e drejtë dhe ajo çka ju thatë në fillim pra, libri, a është pasion, a është detyrim, apo është diçka që të rinjtë, apo jo vetëm të rinjtë, por dhe më gjerë pra, duhet ta lexojnë apo duhet të futen në botën e librit, është shumë e drejtë.
Por, unë mendoj që qasja e leximit në ditët e sotme ka ndryshuar shumë nga ç'i përkiste një gjenerate tjetër.
Dikur lexonin më shumë libra dhe më pak informacion të detajuar në internet, ndërkohë që sot ndodh e kundërta. Pra, pjesa më e madhe e të rinjve e konsiderojnë formën e leximit thjesht marrjen e një informacioni në internet.
Qoftë përsa i përket shkollës apo detyrave që ata kanë apo që i kërkohen në shkollë, qoftë edhe leximit të përgjithshëm, për të marrë një informacion të përgjithshëm.
Por, unë mendoj që kjo qasje në fakt ka ardhur koha që të ndryshojë, pasi leximi i një libri tradicional nuk është i njëjtë apo nuk, nuk do të thoja që është i barabartë me marrjen e një informacioni nga interneti.
Për ta kuptuar më mirë të rinjtë, leximi i një libri në fakt është një qasje tjetër pasi të zhvillon më tej të menduarit kritik.
Pra, ti lexon diçka dhe futesh në një botë më të thellë dhe madje qëndron një kohë të gjatë pra, duke lexuar, duke lexuar dhe duke, vetëm duke lexuar.
Pastaj varet nga dëshira që ti ke për të lexuar, varet dhe nga koha pra, se si ti mund ta menaxhosh kohën për të lexuar, por unë mendoj që ka ardhur koha që kjo qasje në fakt të ndryshojë, sepse thjesht marrja e një informacioni nuk është ajo çka mund t'i ndihmojë të rinjtë përsa i përket edhe qoftë formave të komunikimit, për të zhvilluar mënyrat e komunikimit, siç e thashë dhe të menduarit kritik dhe krijues dhe për të forcuar gjuhën në përgjithësi.
Pra e ndihmon edhe në përdorimin e gjuhës, në formimin e termave të ndryshëm, por gjithashtu edhe në gjuhët e huaja, pra se mund, ka të rinj që sot pra janë mirë me gjuhët e huaja dhe këtë informacion që ata duan të marrin, mund ta lexojnë qoftë në anglisht, qoftë dhe në një gjuhë tjetër. Pra i ndihmon paralelisht edhe në gjuhën shqipe, por edhe në një gjuhë të huaj", u shpreh Llazo.
Ndiqni intervistën e plotë:
