Kompanitë kineze përdorin inteligjencën artificiale për të 'zbuluar' lëvizjet e ushtrisë amerikane gjatë l*ftës në Iran

Ndërsa lufta në Iran shpërtheu pesë javë më parë, në rrjetet sociale në Perëndim dhe Kinë u shfaq një valë postimesh virale që detajonin pajisjet në bazat amerikane, lëvizjet e grupeve detare dhe përgatitjet e avionëve për goditje ndaj Teheranit.

Sipas raportimeve, këto të dhëna vijnë nga një treg i ri në rritje të shpejtë: kompani kineze, disa me lidhje me Ushtrinë Çlirimtare Popullore, të cilat kombinojnë inteligjencën artificiale me të dhëna të hapura për të ofruar informacione që pretendojnë se “zbulojnë” lëvizjet e forcave amerikane.

Edhe pse Pekini ka tentuar të distancohet nga përfshirja direkte në luftën në Iran, këto kompani shumë prej të cilave janë krijuar në pesë vitet e fundit në kuadër të strategjisë shtetërore për përdorimin ushtarak të inteligjencës artificiale po përfitojnë nga konflikti.

Zyrtarë amerikanë dhe ekspertë të inteligjencës janë të ndarë në vlerësimet e tyre nëse këto mjete përbëjnë një kërcënim real, por theksojnë se rritja e ofertave nga sektori privat tregon një rrezik në rritje për sigurinë dhe synimin e Kinës për të shfaqur fuqinë e saj në fushën e inteligjencës.

Qeveria kineze ka investuar qindra miliona dollarë për të mbështetur kompanitë private që zhvillojnë inteligjencë artificiale me përdorim në mbrojtje, si pjesë e strategjisë së integrimit civil-ushtarak, duke planifikuar edhe zgjerimin e këtyre përpjekjeve në vitet e ardhshme.

Kompanitë private kanë përdorur prej kohësh të dhëna të hapura si imazhe satelitore, gjurmim fluturimesh dhe lëvizje anijesh për analiza tregtare. Por zhvillimi i inteligjencës artificiale i ka bërë këto mjete më të fuqishme, duke e bërë më të vështirë fshehjen e lëvizjeve ushtarake amerikane.

Një nga kompanitë kryesore në këtë fushë është MizarVision, me bazë në Hangzhou, e themeluar në vitin 2021. Ajo përdor një kombinim të të dhënave perëndimore dhe kineze, të përpunuara nga inteligjenca artificiale, për të monitoruar aktivitetin në bazat amerikane në Lindjen e Mesme, për të ndjekur lëvizjet detare dhe për të identifikuar pozicionet e avionëve dhe sistemeve të mbrojtjes raketore.

Sipas të dhënave të publikuara nga kompania, ajo ka analizuar grumbullimin e forcave amerikane në Lindjen e Mesme para nisjes së operacionit “Epic Fury”, duke përfshirë edhe lëvizjet e aeroplanmbajtëseve dhe vendosjen e avionëve në baza në Izrael, Arabinë Saudite dhe Katar.

Një tjetër kompani, Jing’an Technology, pretendon se ka gjurmuar komunikime mes bombarduesve amerikanë dhe ka analizuar lëvizje të gjera të mjeteve ushtarake, megjithëse disa nga këto pretendime janë vënë në dyshim nga ekspertët.

Zyrtarët amerikanë mbeten skeptikë për aftësinë e këtyre kompanive për të depërtuar në komunikimet sekrete të ushtrisë, por paralajmërojnë se zhvillimi i tyre është shqetësues për të ardhmen.

Analistët theksojnë se këto kompani mund t’i shërbejnë Pekinit edhe si një mjet indirekt për të mbështetur aleatët, duke ruajtur një distancë zyrtare nga konfliktet.

Ndërkohë, SHBA-të kanë ngritur shqetësime se kompani të lidhura me Partinë Komuniste Kineze po e shndërrojnë teknologjinë civile në mjete monitorimi ushtarak në kohë reale.

Në këtë kontekst, lufta në Iran po shfaqet jo vetëm si një përplasje ushtarake, por edhe si një betejë teknologjike dhe informative mes fuqive globale.