A mundet Presidenti i SHBA-së të tërheqë vendin e tij nga NATO? Dhe pse Trump po e përmend këtë tani?
NATO, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, mbetet një nga aleancat ushtarake më të rëndësishme në historinë moderne. Themeluar në vitin 1949, ajo ka si bazë Traktatin e Atlantikut të Veriut, ku Neni 5 parashikon mbrojtjen kolektive: sulmi ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.
Por çfarë ndodh nëse një anëtar, sidomos SHBA-ja si fuqia kryesore, vendos të largohet?
Pyetja e parë ligjore është e qartë:
A ka Presidenti fuqi unilaterale për të nxjerrë SHBA-në nga NATO?
Sipas Nenit 13 të Traktatit, çdo vend anëtar mund të denoncojë traktatin (të njoftojë largimin) dhe pas një viti bëhet efektiv largimi. Ky proces duket i thjeshtë nga ana ndërkombëtare. Megjithatë, në të drejtën e brendshme amerikane situata është më komplekse. Në vitin 2023, Kongresi amerikan miratoi dhe Presidenti Biden nënshkroi një ligj (Section 1250A i Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për vitin 2024), që ndalon Presidentin të “pezullojë, ndërpresë, denoncojë ose tërheqë” SHBA-në nga Traktati i Atlantikut të Veriut pa miratimin e Senatit me dy të tretat e senatorëve të pranishëm ose pa një akt të Kongresit.
Ky ligj u hartua pikërisht për të parandaluar një vendim të njëanshëm nga një President i mundshëm si Donald Trump. Megjithatë, juristë të ndryshëm debatojnë nëse ky ligj mund të kufizojë plotësisht fuqinë e Presidentit si “kryekomandant” (sipas Nenit II të Kushtetutës).
Disa thonë se Presidenti ka autoritet të gjerë në politikën e jashtme dhe mund të sfidojë ligjin në gjykata, duke iu referuar precedentëve historikë si largimi nga traktati me Tajvanin në vitin 1979. Të tjerë argumentojnë se Kongresi ka fuqi të fortë kushtetuese për të rregulluar traktatet. Pra, edhe nëse Trump jep njoftimin, mund të lindë një betejë ligjore dhe politike e ashpër midis Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit.
Pyetja e dytë është politike dhe strategjike: Pse Presidenti Trump po i përdor këto deklarata pikërisht në këto momente?
Deklaratat e fundit të Trump-it – ku ai e quan NATO-n “Tiger letëre ” (paper tiger) dhe thotë se po e konsideron “absolutisht” largimin vijnë në një kontekst shumë konkret. Ai ka shprehur zemërim të madh ndaj aleatëve evropianë sepse nuk kanë dhënë mbështetje aktive në operacionet amerikane kundër Iranit, veçanërisht në çështjen e "Çelësit të Hormuzit".
Trump ka përsëritur prej vitesh kritikën e tij klasike për “ndarjen e barrës” (burden sharing): SHBA-ja paguan shumë, ndërsa shumë vende evropiane shpenzojnë pak për mbrojtje.
Këto deklarata duken si një levë presioni e fuqishme. Trump historikisht ka përdorur kërcënimin e largimit për të detyruar aleatët të rrisin shpenzimet ushtarake.
Tani, në vitin 2026, me tensionet në Lindjen e Mesme dhe nevojën për të rishikuar prioritetet strategjike amerikane, ai po e përdor këtë retorikë për të treguar se SHBA-ja nuk do të vazhdojë të jetë “polic i botës” që mbron Evropën pa kushte. Është një mesazh drejtuar si aleatëve (për të rritur kontributin), ashtu edhe zgjedhësve amerikanë (që shpesh ankohen për kostot e jashtme).
Megjithatë, shumë analistë shohin në këtë edhe element elektorale dhe negociuese. Duke e bërë çështjen publike, Trump krijon presion mbi Evropën për të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e vet, ndoshta duke hapur rrugën për një “NATO të re” ku roli i SHBA-së është më i kufizuar.
Kjo përputhet me vizionin e tij “America First”: prioritet interesave amerikane, jo angazhime të pakufizuara jashtë vendit.
Në përfundim, çështja e largimit nga NATO nuk është vetëm ligjore, por thellësisht politike. Edhe nëse Presidenti ka mundësi teknike, çdo veprim i tillë do të shkaktonte tronditje gjeopolitike do të dobësonte sigurinë evropiane, do të inkurajonte kundërshtarët si Rusia dhe Kina, dhe do të ndryshonte përgjithmonë arkitekturën e sigurisë transatlantike.
Kështu që vende si, Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, do të ndjente pasojat drejtpërdrejt si vendi me sistemin e mbrojtjes më të brishtë në të gjithë Aleancën Veri- Atlantike.

