Balliu: Policia e Shtetit është kthyer në garanci për krimin dhe kartelet e drogës
I ftuar në studion e Ora News ishte deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Klevis Balliu, i cili komentoi zhvillimet politike në vend dhe akuzat për inkriminimin e Policisë së Shtetit.
Gjatë intervistës, Balliu u ndal te disa ngjarje të fundit që, sipas tij, tregojnë nivele alarmante të përfshirjes së efektivëve në aktivitete kriminale.
Ai përmendi rastin e ish-shefit të krimeve në Vlorë, i arrestuar nga autoritetet gjermane me 460 kilogramë kokainë, duke e cilësuar këtë si një tregues të lidhjeve të mundshme mes strukturave shtetërore dhe rrjeteve të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Një tjetër rast i përmendur ishte atentati i ndodhur në afërsi të aeroportit, ku sipas tij, për rreth dy orë në një rreze prej 20 kilometrash nuk ndodhej asnjë efektiv policie.
Balliu theksoi se kjo situatë është veçanërisht shqetësuese, duke qenë se zona e aeroportit konsiderohet një nga pikat me siguri të lartë, e mbrojtur nga policia, ushtria dhe shërbimet informative.
Sipas deputetit, mungesa e pranisë së forcave të sigurisë në një moment kur në zonë pritej edhe kalimi i një delegacioni zyrtar, ka ngritur pikëpyetje serioze mbi funksionimin e strukturave ligjzbatuese dhe nivelin e sigurisë në vend.
"Këto zhvillime kanë ndikuar në rritjen e pasigurisë tek qytetarët dhe kanë dëmtuar besimin ndaj institucioneve që kanë për detyrë garantimin e rendit dhe sigurisë publike."
Ai theksoi se interpelancat parlamentare synojnë të informojnë opinionin publik mbi situatën reale të sigurisë dhe funksionimin e institucioneve shtetërore.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË:
