Rrëfimi i nënës, Kajmelina Duka: Pse detyrohemi të izolohemi me fëmijët tanë autikë

Në një apel të drejtpërdrejtë dhe prekës, Kajmelina Duka një nënë e një fëmije me çrregullime të spektrit të autizmit zbuloi në “Ora News” realitetin e vështirë me të cilin përballen familjarët, një realitet që shpesh mbetet i panjohur për shoqërinë.

Sipas saj, mungesa e thellë e njohjes së autizmit i detyron shumë familje të izolohen, jo për shkak të turpit apo frikës, por për shkak të ndjesisë së të qenit të papranuar.

Një nga sfidat kryesore është keqkuptimi i sjelljeve të fëmijëve me autizëm. "Fëmija jonë, në moment ekzaltimi apo kënaqësie, fillon bërtet, sepse ashtu e shpreh natyrën e tij," shpjegon ajo. Kjo mënyrë shprehjeje, që për fëmijën është një formë gëzimi apo dashurie, shpesh i tremb bashkëmoshatarët e tij. Frika dhe largimi i fëmijëve të tjerë e lë fëmijën me autizëm të ndihet i vetmuar dhe i frustruar, duke krijuar një cikël të vështirë social.

Duke theksuar se "pretendohet se njihet autizmi, por është shumë i panjohur", Kajmelina Duka i bën thirrje institucioneve dhe shoqërisë që të ndërmarrin hapa konkretë për edukim.

Propozimi i saj është i qartë: psikologë të specializuar duhet të vizitojnë shkollat të paktën një herë në muaj për të informuar fëmijët rreth autizmit. Qëllimi është që fëmijët të mos tremben, por të mësojnë të pranojnë dhe të kuptojnë shokët e tyre me aftësi ndryshe.

Sipas saj, ky është një problem që po bëhet gjithnjë e më i përhapur, pasi rastet janë "shumë të shtuara".

Përballë një realiteti ku menaxhimi i situatave sociale jashtë shtëpisë bëhet tejet i vështirë, izolimi mbetet shpeshherë zgjidhja e vetme. "Thjesht jemi të papranuar dhe është shumë e vështirë ta menaxhosh jashtë," përfundon ajo, duke nënvizuar nevojën urgjente për ndërgjegjësim dhe pranim social.