Paralajmërimi amerikan, Qiriazi: Këto nuk janë një çështje për interpretime politike majtas apo djathtas
Lajmërimi i Ambasadës Amerikane për një kërcënim të mundshëm terrorist në Shqipëri ka ngjallur shqetësim të gjerë publik.
Sipas ekspertit të çështjeve të sigurisë, Redion Qiriazi një njoftim i tillë nuk vjen kurrë pa shkak dhe duhet trajtuar me seriozitetin më ekstrem.
I ftuar në një intervistë në "Ora News" Qiriazi thekson se çdo kërcënim për sulm terrorist duhet të merret seriozisht, për shkak të impaktit të jashtëzakonshëm që mund të ketë në shoqëri, në perceptimin publik dhe në imazhin e vendit.
Një ngjarje e tillë, sado e vogël, do të ishte fatale për fushatën e Shqipërisë si një destinacion i sigurt turistik, duke shkatërruar imazhin e saj si “vendi parajsë”.
Në analizën e situatës, Qiriazi vë re një qasje kritike ndaj reagimit të autoriteteve shqiptare.
Sipas ekspertit, edhe pse deklaratat zyrtare që mohuan ekzistencën e indicieve konkrete mund të jenë korrekte nga pikëpamja institucionale, qeveria nuk ka arritur të menaxhojë siç duhet komunikimin publik.
Ky boshllëk ka lënë hapësirë për keqinterpretime dhe përhapjen e dezinformatave, të cilat në situata të tilla përhapen më shpejt se informacioni i verifikuar. Për këtë arsye, theksohet nevoja urgjente për një komunikim të vazhdueshëm dhe transparent me publikun, në mënyrë që qytetarët të ndihen të qetë dhe të informuar saktë.
Një tjetër problem i evidentuar është politizimi i çështjes së sigurisë. Thirrjet për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare konsiderohen më shumë si një veprim formal pa impakt real sesa një mekanizëm efektiv që mund të ndryshojë rrjedhën e punës së institucioneve.
Këto debate politike e largojnë fokusin nga problemi real, që është garantimi i sigurisë për të gjithë.
Në përfundim, ai theksoi se kërcënimet terroriste nuk janë një çështje për interpretime politike majtas apo djathtas, pasi siguria është një shqetësim që i bashkon të gjithë qytetarët.
Institucionet duhet të bëjnë maksimumin për të parandaluar çdo incident, por menaxhimi i situatës kërkon përgjegjshmëri dhe komunikim të qartë, për të shmangur panikun dhe keqinformimin.

