Festivali i Shkencës hyn në fazën e tretë, prezantohen 109 projekte

Festivali Kombëtar i Shkencës që po zhvillohet në gjimnazet e vendit, është një nismë ku nxënësit prezantojnë projekte kërkimore, eksperimente, prototipe inxhinierike dhe zgjidhje digjitale.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro u shpreh se më 31 mars, edicioni i parë i këtij festivali kombëtar hyn në fazën e tretë, në atë të konkurrimit mes Drejtorive Rajonale të Arsimit Parauniversitar ku do të prezantohen 109 projekte që mbajnë vulën e përkushtimit, pasionit e potencialit krijues në teknologji, shkencë e inovacion të nxënësve.

Ministrja Kumbaro shprehu urimet e rastit të gjithë nxënësve e grupeve që kanë mbërritur deri në këtë fazë, si edhe mësuesve dhe prindërve që i kanë mbështetur gjatë festivalit.

Ky festival, i mbështetur nga Ministria e Arsimit, ka për qëllim që shkollat e mesme të shndërrohen në qendra të krijimtarisë dhe inovacionit, duke ofruar mundësi për nxënësit të demonstrojnë aftësitë e tyre përmes projekteve praktike dhe hulumtimeve të pavarura.

Festivali Kombëtar i Shkencës synon të rrisë interesin e të rinjve për shkencën dhe teknologjinë, si dhe të forcojë lidhjet ndërmjet arsimit parauniversitar, universiteteve dhe sektorit privat.

Pjesëmarrësit kanë mundësinë të ndajnë idetë dhe produktet shkencore, duke treguar aftësinë e tyre për të zbatuar njohuritë në mënyrë krijuese dhe bashkëpunuese. Festivali gjithashtu ka për qëllim zhvillimin e aftësive analitike dhe komunikuese të nxënësve, duke i përgatitur ata për sfidat e së tashmes dhe të ardhmes.