Berisha: Rama mbylli dyert e Europës! Ftoj shqiptarët me 17 prill të flasin për veten dhe të ardhmen e tyre në Europë!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një dalje për mediat sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama dhe Belinda Balluku.
Ai tha se do të ishte e padrejtë që të shkarkohej mbi lubinë kjo përgjegjësi, e cila sipas tij i atribuohen vjedhjet e 12 miliardë euro investime, ndërsa shtoi se përgjegjës kryesor është Rama. Berisha tha se Rama mbylli rrugëtimin e Shqipërisë në BE për të shpëtuar nga dosja Balluku, që në fakt është dosja e tij.
“Shqipëria në Europë është ëndrra shekullore e shqiptarëve, investimi i tyre 32-vjeccar, por Shqipëria në Europë është gjithashtu investimi i BE, KE vendeve anëtare miliarda euro me të cilat ky vend është transformuar, po të kemi parasysh gjendjen ku ishte, sa asnjë vend tjetër.
Rama i mbylli dyert së bashku me Lubi Ballukun.
Do të ishte e pa drejtë që të shkarkonim mbi Lubinë këtë përgjegjësi. Lubia ka përgjegjësi të mëdha për vjedhjet e bëra, për shpërdorim dhe vjedhjen e mld eurove, ka disponuar 12 mld euro investime dhe tani sipas vetë Ramës, janë ndërtuar thotë ai, që s’janë kurrë, 1 mijë km rrugë, të cilat u shembën si rrugë kashtë njëra pas tjetrës në këtë pranverë.
Por njeriu që mbylli dyert e Europës duke përdorur për këtë qëllim dosjen e Lubisë, është Rama, pasi është edhe dosja e tij.
Në raportin në tetor të 2025, KE a ngritur si çështje themelore për Shqipërinë rritjen e presionit politik ndaj gjyqësorit, luftën e dobët kundër korrupsionin dhe problemet madhore me lirinë e mediave”, tha ai.
Berisha, gjatë konferencës me gazetarët këtë të hënë, u shpreh se shqiptarët duhet të flasin më 17 prill për të ardhmen e tyre në Europë.
Ai kritikoi qeverinë për kontrollin e mediave dhe për çështjet e lidhura me Balluku dhe Edi Ramës, duke deklaruar se çështjet e Ballukut lidhen direkt me veprimet e Ramës dhe pengojnë integrimin e Shqipërisë në BE.
FJALA E BERISHËS:
Siç e shihni pra, në pamje të parë për Lubi Ballukun, mbyll dyert e Europës, në fakt e ka për veten e tij pasi në dosjet e Lubisë, në çdo dosje të saj, hajdut i parë është Edi Rama, urdhërdhënës është Edi Rama.
Por kështu me AKSHI-n është faktuar kështu katërcipërisht se Agasi i AKSHI-t është Rama, se Mirlinda e AKSHI-t është Linda Rama, se strumbullari i pengmarrjeve është Armand Frangu për paratë e familjes Rama.
Pra, bëra sot këtë shpjegim se në një kohë kur në mënyrë absolute luhet me fatet evropiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve, luhet shumë keq me këto fate, mediat e vendit, të kontrolluara nga qeveria, nga mëngjesi në darkë, marrin ushqimin toksik nga zyrat e qeverisë, propagandën toksike për të mashtruar qytetarët shqiptarë dhe për t’ua fshehur këto të vërteta.
Tmerrësisht e dhimbshme.
Unë paralajmërova para jush disa ditë më parë se po bëhet gjithçka për ta varrosur çështjen Balluku, de facto çështjen Rama.
Por asnjë njeri nuk duhet të harrojë se ajo çështje është çështje jetike e të ardhmes së shqiptarëve.
E integrimit të tyre në BE.
Çdo kthim mbrapa në aparencë është çështja Balluku, në fakt është dosja Rama që qëndron në çdo faqe të çështjes Balluku.
Ndaj dhe jam këtu për të qëndruar për interesin më të mirë të shqiptarëve, interesin evropian të tyre.
Jam këtu për t’u bërë thirrje shqiptarëve të marrim në dorë fatin tonë, fatin e Shqipërisë.
Të mos lejojmë që akte vjedhjesh të tmerrshme të taksave të shqiptarëve dhe pasurive publike nga anëtarët e organizatës kriminale të kryesuar nga Edi Rama, të na mbyllin ne dyer e të ardhmes evropiane dhe të vazhdojmë të shpërbëhemi si komb siç po shpërbëhemi tani.
Edhe njëherë, BE foli. Nuk mbyllet asnjë kapitull pa votimin e IBAR, dhe IBAR nuk votohet pa arritur standardet e kërkuara.
Bllokimi i IBAR do të thotë bllokim i mbylljes të çdo kapitulli.
Dhe kjo po vjen kryekëput nga bllokimi që i bëri Edi Rama arrestimit të Lubi Ballukut për të mbrojtur veten e tij.
Ftoj shqiptarët me 17 prill të flasin për veten e tyre, për të ardhmen e tyre në Europë!
