E diela e fundit e muajit falas në muze dhe parqe arkeologjike

Në të dielën e fundit të muajit hyrja në muze dhe parqe arkeologjike është falas, një mundësi e veçantë për qytetarët për të zbuluar trashëgiminë kulturore dhe ekspozitat e veçanta.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri me dije se kjo iniciativë synon të lehtësojë qasjen e publikut në trashëgiminë kulturore dhe të nxisë interesin për artin dhe historinë e vendit.

Këtë të diel për të mos u humbur është ekspozita “Zofia Rydet: Regjistri Sociologjik” në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, e kuruar nga Clare Grafik dhe Karl Hordzie.

Projekti vjen nga The Photographers’ Gallery në Londër dhe sjell universin vizual të fotografes polake Zofia Rydet, duke përfshirë edhe një përzgjedhje të rrallë fotografish nga Shqipëria e viteve 1960.

Ekspozita, e kthyer në një dëshmi të gjallë antropologjike dhe artistike të shekullit XX, ofron një mundësi unike për të njohur historinë vizuale dhe shoqërore të kohës.

Sipas ministrit Gonxhja, hyrja falas është një mundësi për të gjithë qytetarët që të afrohen me artin dhe kulturën, duke e bërë trashëgiminë kulturore më të prekshme dhe të ndjeshme për publikun e gjerë.

Vizitorët mund të përfitojnë nga kjo iniciativë gjatë gjithë ditës së diel, duke eksploruar jo vetëm ekspozitat e përkohshme, por edhe koleksionet permanente të muzeve dhe parqeve arkeologjike.