ANALIZA/ Të rinjtë e zemëruar të Spanjës i drejtohen së djathtës...

Dikur korrida ishte tema kryesore e "luftës kulturore" për partinë radikale të djathtë spanjolle Vox dhe për disa nga votuesit e saj më të vjetër, një mundësi për të mbrojtur shenjtërinë e traditës, për t'u përplasur me aktivistët "woke" për të drejtat e kafshëve dhe për të duartrokitur ndërsa matadori më i famshëm i vendit ia dedikonte demin e fundit liderit të Vox, Santiago Abascal.

Por tani që partia populiste dhe anti-emigracion po rritet në sondazhe falë mbështetjes së burrave të rinj spanjollë, drejtuesit e Vox kanë kuptuar se shqetësimet tradicionale konservatore, si korrida, kanë humbur shumë nga rëndësia e tyre. Në vend të kësaj, Vox ka mësuar të shfrytëzojë pakënaqësitë e thella ekonomike dhe sociale të burrave, të cilat janë bërë tipari përcaktues i një forme të re populizmi spanjoll.

"Nuk më ka pëlqyer kurrë politika, por fillova të votoj kur pashë gjendjen e vendit," tha mbështetësi i Vox, Adrián Domingo, 30 vjeç, shitës metalesh, ndërsa pinte birrë me miqtë në Teruel, Aragón, pranë statujës simbolike të demit në qytet. "Është kaos total."

Gratë e reja vazhdojnë të anojnë majtas, por tek meshkujt ka pasur një ndryshim të dukshëm: ata identifikohen më shumë me të djathtën se çdo brez tjetër i të rinjve në 40 vitet e fundit. Shumë prej tyre e shohin veten si viktima të kryeministrit socialist Pedro Sánchez dhe politikave të tij për ekonominë dhe emigracionin.

Ndërsa Sánchez i mëshon faktit që Spanja ka pasur rritjen më të shpejtë ekonomike mes ekonomive të mëdha të zhvilluara gjatë dy viteve të fundit, të rinjtë ankohen se shpresat e tyre personale janë lënë më baltë. Pakënaqësinë e tyre e ushqejnë edhe reperë populistë, si dhe podkasterë dhe influencerë të ekstremit të djathtë.

Hermann Tertsch, eurodeputet i Vox, i tha Financial Times: "Të rinjtë sot shohin abisin që ekziston mes realitetit dhe narrativës zyrtare. Është një fyerje absolute."

Domingo dhe dy miqtë e tij kanë plot arsye për pakënaqësi: rritja e madhe e çmimeve të banesave; emigracioni i paligjshëm, të cilin e fajësojnë për rritjen e krimit; përkeqësimi i shërbimeve publike; ligjet "feministe" që sipas tyre vendosin të drejtat e grave mbi ato të burrave; si dhe korrupsioni, përfshirë akuzat ndaj bashkëshortes së Sánchez-it dhe dy ish-bashkëpunëtorëve të tij të afërt në Partinë Socialiste PSOE (të gjithë i mohojnë akuzat).

Nëse zgjedhjet kombëtare do të mbaheshin sot, Vox, që shpreh pikërisht këto shqetësime, do të merrte më shumë vota se çdo parti tjetër mes burrave të moshës 18–34 vjeç, sipas CIS, institutit publik të sondazheve në Spanjë.

Sa i përket korridës, Domingo tha se është fans, por e sheh më shumë si çështje jetese sesa kulture. "Një pjesë e madhe e Spanjës jeton nga blegtoria," tha ai. "Nëse e ndalon këtë, çfarë ndodh? Edhe më shumë njerëz varfërohen. E kuptoj që disa nuk duan të vritet demi. Por demi sjell bukën në tavolinë."

Miku i tij Francisco Royo, 31 vjeç, që punon në një kompani transporti në Teruel, një qytet i largët, tha se më parë nuk i kushtonte shumë vëmendje politikës. "Por socialistët janë aq të dobët sa, pak nga pak, po më shtohet dëshira t'i ndëshkoj."

Votimi për Vox është mënyra për ta bërë këtë, dhe për t'iu bashkuar një vale populiste që udhëhiqet nga presidenti amerikan Donald Trump dhe po përhapet në gjithë Europën."Ne jemi pjesë e një lëvizjeje globale kulturore dhe politike," tha Tertsch.Një nga motivet kryesore të kësaj lëvizjeje është qëndrimi i ashpër ndaj emigracionit, që përputhet me pikëpamjet e Jorge Monteros, 23 vjeç, student dhe votues i Vox nga një lagje e pasur e Barcelonës. Ai shqetësohet për rritjen e emigrantëve "që nuk e pëlqejnë kulturën tonë ose nuk arrijnë të përshtaten me të".

Ai kritikon kriminelët në paraburgim policor, emrat e të cilëve "nuk janë spanjollë", dhe mbështet kërkesën e Vox për kontrolle më të forta kufitare dhe deportime."Nuk është çështje racizmi. Është që nuk po respekton ligjet e mia," tha Montero.

Vox u themelua në vitin 2013 nga ish-anëtarë të Partisë Popullore (PP), forca kryesore konservatore në Spanjë, dhe mbështetësit e saj fillestarë ishin qytetarë të pasur urbanë me stil konservator dhe "djem të rinj që mblidhnin bar në fshat", siç u shpreh një zyrtar partie.

Megjithatë, gjatë vitit të fundit, ajo ka filluar të fitojë mbështetjen e burrave të klasës punëtore që dikur do të kishin votuar majtas. Që nga dhjetori i kaluar, Vox ka arritur rezultatet më të mira ndonjëherë në tri zgjedhje rajonale, duke marrë 17% në Extremadura, 18% në Aragón dhe, të dielën e kaluar, 19% në Castilla y León.

Këto shifra janë më të ulëta se ato të partive të ngjashme ideologjikisht në vende të tjera: Reform UK kryeson sondazhet me 26%, Rassemblement National në Francë me 34% dhe Alternativa për Gjermaninë me 24%, sipas Politico Poll of Polls.Megjithatë, pakënaqësia e burrave të rinj po i jep vrull Vox-it.

Rubén Díez, profesor sociologjie në Universitetin Complutense të Madridit, tha: "Ka një ndjenjë pakënaqësie që nuk është vetëm ekonomike. Është edhe emocionale. Kjo i shtyn njerëzit drejt pikëpamjeve më radikale. Ata mendojnë se institucionet dhe demokracia nuk po funksionojnë për ta."

Vox renditet aktualisht në vendin e tretë në sondazhe dhe ka pak gjasa të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare që duhet të mbahen deri në gusht 2027. Por nëse Sánchez humbet, siç sugjerojnë sondazhet aktuale, Vox ka gjasa të bëhet forca vendimtare që do të përcaktojë nëse do ta ndihmojë PP-në të arrijë shumicën qeverisëse duke formuar një bllok të djathtë.

Sánchez e paraqet Vox-in si një kërcënim urrejtjeje ndaj vlerave demokratike. Kur ai udhëhoqi kundërshtimin perëndimor ndaj luftës SHBA-Izrael kundër Iranit javën e kaluar, Abascal e akuzoi se po rreshtohej me "ajatollahët tiranë" dhe po rrezikonte marrëdhëniet ekonomike me SHBA-në.

Sánchez u përgjigj se Vox po mbështeste "ata që po i vënë flakën botës dhe më pas ankohen për tymin".

Një dekadë më parë politika në Spanjë ishte krejt ndryshe: PP drejtonte një qeveri të qendrës së djathtë të përfshirë nga skandalet e korrupsionit, papunësia ishte mbi 20% dhe rebelët politikë ishin radikalët e majtë.

Pablo Iglesias i udhëhiqte ata si themelues i Podemos, një parti që sot ndodhet në periferi të politikës. Vox-i i sotëm, tha ai, është pjesë e një "fashizimi më të gjerë të së djathtës". Por ai pranoi se e djathta po fiton sepse është përshtatur me rregullat e reja të lojës.

"Në shoqëri aq të mbushura me media sa tonat, politika është një betejë ideologjike," tha Iglesias. "Ka të bëjë me atë që thuhet dhe përsëritet në televizion dhe në rrjetet sociale. Në këtë aspekt, e djathta ekstreme ka qenë absolutisht mjeshtërore. Ajo e kupton se ajo që ka rëndësi është arti i dominimit të emocioneve."

Ndër figurat më të njohura të populizmit të djathtë online është Angie Corine, një repere, videot e së cilës bashkojnë kundërshtimin ndaj Sánchez-it me patriotizmin e shfaqur përmes flamurit, si dhe "El Jincho", një artist repi me tatuazhe, kënga e të cilit "Sánchez qeni" këtë muaj përdori nofkën fyese të kryeministrit dhe e sulmoi për korrupsionin.

Ka edhe podkasterë si Víctor Domínguez, i njohur si Wall Street Wolverine, programet e të cilit përziejnë shqetësimin për emigracionin mysliman me këshilla investimi, si dhe Daniel Esteve, një figurë e rrjeteve sociale dhe sipërmarrës që ka dëbuar mijëra zaptues banesash dhe kritikon Sánchez-in për mbrojtjen që, sipas tij, u jep atyre. Vito Quiles, një gazetar që organizon përballje të papritura me politikanë dhe mbështetësit e tyre, është veçanërisht popullor mes të rinjve.

Rrjetet sociale kanë qenë gjithashtu vend për shpërthime nostalgjie ndaj diktatorit Francisco Franco, megjithëse kjo ndjenjë është vetëm indirekte për ata që kanë lindur shumë kohë pas vdekjes së tij, 50 vjet më parë. Memet sugjerojnë se ekonomia ishte më e fortë dhe rrugët më të sigurta nën regjimin e tij, pretendime të dyshimta që injorojnë edhe shtypjen e lirive politike dhe të drejtave të njeriut.

Politikanët e Vox-it reagojnë me irritim kur përmendet diktatori. "Është njësoj si të thuash se votuesit e Reform janë fansa të Oswald Mosley-t," tha një prej tyre, duke iu referuar liderit të partisë fashiste britanike të viteve 1930.

Megjithatë, popullariteti i memeve për Franco-n pasqyron diçka më të thellë, tha Paco Camas, drejtues i opinionit publik në Spanjë për kompaninë e sondazheve Ipsos. "Sondazhet tregojnë një rritje të numrit të të rinjve që besojnë se një sistem autoritar mund të jetë ndonjëherë më i mirë se një sistem demokratik."

Pakënaqësitë ekonomike mbeten thelbësore për suksesin e Vox-it. Edhe pse shkalla e papunësisë në Spanjë ka rënë nën 10% për herë të parë në 18 vjet, të rinjtë janë të zemëruar sepse pagat po ngecin ndërsa kostot e banesave po rriten me shpejtësi.

Adrián García, 20 vjeç, student biznesi në një kampus universitar në Teruel, tha: "E shoh që pas dy vitesh do të punoj dhe prapë nuk do të jem në gjendje të blej një shtëpi. Nuk do të mund të kem fëmijë sepse nuk do të kem mundësi t'i mbaj. Për mua, këto gjëra janë themelore."

Ai mbështet Vox-in, duke shpresuar se premtimet e tij për të ulur taksat "abuzive" dhe për të reduktuar shpenzimet e panevojshme të sektorit publik do ta shmangin atë të ardhme të zymtë. Dashuria e partisë për korridën, të cilën ai e konsideron "jo etike", është dytësore për të.

Vitin e kaluar, kur matadori Morante de la Puebla ia dedikoi vrasjen e fundit të demit liderit të Vox, Abascal, i tha: "Faleminderit për gjithçka që bën për ne."

Nën vështrimin e statujës së demit në Teruel, Domingo ende nuk është mirënjohës. "Duhet të shohim si do të ecë Vox-i. Por duhet t'u japim një shans," tha ai. Miku i tij Royo shtoi: "Nuk mund të bëjnë më keq se sa ajo që kemi tani." / Financial Times – Syri.net