Pranvera me dëborë shton vizitorët/ Fundjava e fundit e marsit shton fluksin në parkun e Qafë Shtamës

Fundjava e fundit e muajit mars ka sjellë një fluks vizitorësh në Parkun Kombëtar të Qafë-Shtamës, ku panorama e mbuluar nga bardhësia e dëborës ka tërhequr turistë nga zona të ndryshme të vendit.

Peizazhi dimëror i ndërthurur me natyrën e egër dhe ajrin e pastër malor ka kthyer parkun në një nga destinacionet më të frekuentuara të kësaj fundjave.

Vizitorët shijojnë jo vetëm bukuritë natyrore të zonës, por edhe gatimet tradicionale që ofrohen nga bujtinat dhe bizneset lokale.

Përveç shëtitjeve në natyrë, turistët kanë mundësi të përjetojnë edhe aventura në terren përmes mjeteve të posaçme turistike.

Motorët me katër goma, janë kthyer në një nga aktivitetet më të preferuara për vizitorët që duan të eksplorojnë shtigjet malore dhe natyrën e egër të parkut.

Një tjetër pikë e njohur që tërheq turistë në këtë zonë është edhe Kroi i Nënës Mbretëreshë, një prej atraksioneve më të vizituara brenda Parkut Kombëtar të Qafë-Shtamës, i njohur për ujin e tij të freskët dhe historinë që mbart.