Gjipali: Bllokimi i titujve akademikë krijoi boshllëk në universitete, artistët penalizohen nga sistemi

Një bllokim i titujve akademikë nga viti 2013 deri në 2021 ka krijuar një situatë paradoksale në botën akademike shqiptare, veçanërisht në fushën e arteve.

Ky vendim i qeverisë shkaktoi një boshllëk të konsiderueshëm në universitete, duke nxjerrë në pah një konflikt të vjetër: atë mes karrierës artistike dhe kërkesave formale akademike për të dhënë mësim.

Për të folur më tepër në lidhje me këtë temë, i ftuar në studion e lajmeve në "Ora news", ishte tenori, Josif Gjipali.

"Bllokimi i titujve akademikë për të gjithë universitetet shqiptare, që nga 2013-ta deri në 2021-shin, në mos gabohem, një vendim i qeverisë, bllokoi titujt akademikë dhe kjo krijoi një boshllëk të konsiderueshëm, pasi dihet që në ligjin për arsimin që një fakultet të mbahet në këmbë apo të jetë efiçent, duhet të ketë një numër të caktuar profesorësh, sikundër edhe çdo departament duhet të ketë një numër të caktuar elementësh me tituj akademikë që nga, duke filluar këto që nga doktoratura deri te asistent profesor dhe profesor.

Në 2021-shin, qeveria akordoi për Universitetin e Arteve, të themi se unë jam mësuar dhe vazhdoj akoma me atë konceptin Akademi.

Akordoi statusin e veçantë, në përputhje kjo dhe me specifikën tonë. Ky status i veçantë i hapte rrugën akordimit të titujve të themi në bazë të karrierës artistike dhe jo të studimeve akademike, pasi edhe e thënë kjo dhe me logjikën e thjeshtë profesionale, o do bësh profesionin, o do merresh me studim.

Tek ne janë të ndara, ne nisemi të tërë që të bëjmë profesionin, pastaj dikush ja del që të bëjë profesionin dhe merret me atë tërë jetën.

Dikush që nuk ja del, studion se si e bën profesionin ky që ja doli. Dhe gjëja që shkon në të kundërt të logjikës është pikërisht ajo që ky që studion atë që bën ky profesionisti, ky na bëhet profesor, kurse këtij profesionistit nuk i quhet gjithë kjo bravurë apo gjithë kjo karrierë që ka bërë", u shpreh Gjipali.

Ndiqni intervistën e plotë: