Ekspozita “Regjistri Sociologjik” në Marubi sjell edhe fotografitë e rralla të Shqipërisë së viteve ’60

Ekspozita “Regjistri Sociologjik” e fotografes polake Zofia Rydet, e hapur në Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, sjell një nga projektet më të rëndësishme dokumentare të fotografisë europiane të shekullit XX, të realizuar kryesisht në Poloni.

I nisur në vitin 1978, kur artistja ishte 67 vjeç, projekti “Regjistri Sociologjik” (Zapis socjologiczny) synonte të dokumentonte jetën e përditshme përmes brendësisë së shtëpive. Për gati tre dekada, Rydet fotografoi individë dhe familje në ambientet e tyre, duke krijuar një portret të gjerë të kulturës, identitetit dhe transformimeve shoqërore në komunitete të ndryshme polake.

Në zhvillimin e këtij projekti monumental, ajo ndërtoi një strukturë të qartë kategorish të përsëritura, si “Gratë në pragje”, “Profesione”, “Dritaret”, “Shtëpitë” dhe “Televizorët”. Paralelisht, trajtoi edhe tema më konceptuale si “Prania”, që pasqyron përhapjen e figurës së P-Papa Gjon Palo II në hapësirat familjare, dhe “Miti i Fotografisë”, që vë në qendër rolin e imazheve në jetën private. Përmes këtyre strukturave, “Regjistri Sociologjik” tejkalon dokumentimin e thjeshtë dhe shndërrohet në një atlas vizual të jetës shoqërore.

Rydet krijoi marrëdhënie të vazhdueshme me subjektet e saj, shpesh duke u rikthyer në të njëjtat familje, çka i dha projektit një dimension të thellë njerëzor. Me mbi 20 mijë imazhe – shumë prej të cilave nuk u stampuan gjatë jetës së saj – ky arkiv përbën një dëshmi të jashtëzakonshme të kohës. Ajo vijoi të punonte mbi këtë projekt deri në vitin 1990, pavarësisht përkeqësimit të shëndetit. Siç shprehej vetë: “Edhe nëse nuk botohet kurrë… ajo do të mbetet, ndoshta jo si art, por si dokument i kohës.”

Ekspozita, e kuruar nga Clare Grafik dhe Karol Hordziej, paraqet rreth 100 printime fotografike, si dhe materiale arkivore dhe botime nga Fondacioni “Zofia Rydet”.

Brenda këtij konteksti, për publikun shqiptar marrin një vlerë të veçantë edhe fotografitë që Rydet realizoi në Shqipërinë e viteve ’60, në qytete si Durrësi, Tirana, Gjirokastra, Saranda dhe Kruja, të cilat krijojnë një kontrast interesant me punën e saj në Poloni: nga interieret e kuruara dhe të strukturuara, tek skenat spontane dhe të lira të jetës në rrugë.

Këto fotografi spikasin për natyrshmërinë dhe mungesën e çdo filtri ideologjik. Ndryshe nga imazhet zyrtare të prodhuara në atë kohë në Shqipëri, të kontrolluara dhe shpesh të orientuara drejt propagandës, Rydet kap momente të papritura dhe të çlirëta: Fëmijë që shohin drejt aparatit me një përzierje kureshtjeje dhe serioziteti, njerëz në rrugë që nuk pozojnë, ato thjesht ekzistojnë.

Në këto imazhe, Shqipëria nuk është e inskenuar. Ajo shfaqet në gjithë spontanitetin e saj: në rrugët me pluhur, në oborret e shtëpive, në heshtjen e njerëzve që duken sikur janë kapur në një moment të ndërmjetëm mes lëvizjes dhe mendimit. Pikërisht kjo e bën këtë seri kaq të çmuar – është një Shqipëri e paekspozuar më parë, e parë jashtë narrativës zyrtare.

Ekspozita është prodhuar nga The Photographers’ Gallery në partneritet me Adam Mickiewicz Institute dhe Fondacionin Zofia Rydet, dhe prezantohet në Shqipëri me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.