NASA DREJT HËNËS PAS 50 VITESH! Misioni historik nuk parashikon ulje në satelitin e tokës

NASA përgatitet për misionin Artemis II drejt Hënës. Katër astronautë do të nisen në udhëtimin e parë me ekuipazh pas dekadash. Ky mision do të zgjasë 10 ditë dhe do të dërgojë ekuipazhin në një trajektore rreth Hënës.

Katër astronautë të përzgjedhur nga NASA për misionin Artemis II kanë hyrë në fazën finale të përgatitjeve për udhëtimin e parë me ekuipazh drejt Hënës pas më shumë se pesë dekadash.

Ata pritet të nisen nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida, në një mision historik që synon të rikthejë njerëzit në orbitën hënore.

Ekuipazhi përbëhet nga astronautët Reid Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch, si dhe astronauti kanadez Jeremy Hansen. Nisja është planifikuar jo më herët se 1 prilli, me raketën Space Launch System dhe kapsulën Orion, e projektuar për udhëtime në hapësirën e thellë.

Misioni do të zgjasë rreth 10 ditë dhe do të dërgojë ekuipazhin në një trajektore rreth Hënës, përpara rikthimit në Tokë. Edhe pse nuk parashikohet ulje në sipërfaqen hënore, Artemis II do të testojë sistemet kryesore të kapsulës Orion, përfshirë mbështetjen jetësore, navigimin, komunikimin dhe mbrojtjen termike gjatë rikthimit në atmosferë.

Ky është misioni i parë me ekuipazh në kuadër të programit Artemis, një projekt miliarda dollarësh i NASA-s për rikthimin e njeriut në Hënë dhe përgatitjen e misioneve të ardhshme drejt Marsit.

Ekuipazhi është trajnuar për më shumë se dy vite dhe ka hyrë në izolim para nisjes, si pjesë e protokolleve standarde për fluturimet hapësinore. Komandanti i misionit, Reid Wiseman, ka përvojë të gjatë në hapësirë, ndërsa anëtarët e tjerë sjellin eksperiencë të konsiderueshme nga misione të mëparshme.

Misioni do të shënojë edhe disa arritje historike: Victor Glover do të jetë astronauti i parë me ngjyrë që udhëton drejt Hënës, Christina Koch gruaja e parë që arrin këtë objektiv, ndërsa Jeremy Hansen do të jetë astronauti i parë jo-amerikan që shkon përtej orbitës së ulët të Tokës drejt Hënës.

Artemis II konsiderohet një hap vendimtar për eksplorimin e ardhshëm hapësinor dhe për rikthimin e njerëzimit në Hënë, më shumë se 50 vite pas misioneve Apollo.