Britaniku ndërton portal informues për qytetin e Durrësit

Një shtetas britanik, që jeton në Durrës, ka krijuar një portal të ri informues për qytetin bregdetar, i cili synon të shërbejë si udhëzues për të huajt, turistët dhe vizitorët që duan të njohin më mirë jetën dhe mundësitë që ofron zona.

Keith Lauchlan, 65 vjeç, është një dizajner grafik dhe zhvillues uebi me profesion, i cili kryesisht merret me dizajnimin e librave.

Ai ka lançuar platformën online “Durrës Life”, një faqe e dedikuar për të krijuar një bazë të gjerë informacioni mbi historinë, gjeografinë dhe jetën e përditshme në qytetin e dytë më të madh të Shqipërisë.

Lauchlan tregon për ATSH se, ideja për krijimin e portalit lindi pasi ai jetoi për disa muaj në Durrës dhe u lidh me qytetin dhe komunitetin e tij.

Platforma synon të ndihmojë jo vetëm vizitorët e huaj, por edhe banorët vendas që kërkojnë informacion të strukturuar mbi shërbimet dhe institucionet lokale.

Portali përmban disa seksione kryesore, mes tyre një “Business Directory”, me biznese miqësore ndaj të huajve, një seksion “Resources”, me institucione dhe faqe të dobishme për orientimin në qytet, “Insights” me artikuj mbi tema të rëndësishme lokale dhe “Voices”, një hapësirë ku publikohen shkrime nga autorë shqiptarë dhe përvoja të të huajve që kanë zgjedhur të jetojnë në Durrës.

Lauchlan është gjithashtu krijuesi i faqes “Durrës by Bus”, e cila paraqet të gjitha linjat e autobusëve brenda qytetit dhe ndihmon banorët dhe vizitorët të orientohen më lehtë në transportin urban.

Sipas tij, portali është ende në fazat e para të zhvillimit dhe pritet të zgjerohet me informacione të reja dhe me përfshirjen e komunitetit të të huajve dhe të qytetarëve shqiptarë, me synimin për t’u kthyer në një burim të dobishëm informacioni për këdo që jeton apo viziton Durrësin.