HISTORI/ Fotoja e rrallë nga përballja historike Shqipëri-Poloni në vitin 1953
Në prag të përballjes së radhës mes Shqipërisë dhe Polonisë, Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) sjellë nga arkivi i saj një moment historik: fitoren 2-0 të kuqezinjve më 29 nëntor 1953, ndeshje e luajtur në stadiumin “Qemal Stafa”.
Kjo ndeshje miqësore, e ndjekur nga rreth 20 mijë spektatorë dhe e gjykuar nga arbitri Albert Dorogi, u vendos që në pjesën e parë falë golave të Loro Boriçit në minutën e 12-të dhe Refik Resmjes në minutën e 35-të.
Skuadra shqiptare, e drejtuar nga Miklosh Vadash, u rreshtua me Qemal Voglin, Hamdi Bakallin, Loro Boriçin, Leonid Dashin, Simon Dedën, Muhamet Dibrën, kapitenin Besim Fagu, Skënder Jarecin, Refik Resmjen, Xhevdet Shaqirin dhe Muhamet Vilën.

Ndërkohë, Polonia e drejtuar nga Ryszard Koncewicz kishte në përbërje Edward Szymkowiak, Henryk Alszer (kapiten), Henryk Bartyla, Zdzislaw Bieniek, Roman Durniok, Wladyslaw Gedlek, Robert Henryk Gronowski, Jerzy Krasowka, Pawel Sobek, Kazimierz Trampisz dhe Jozef Wieczorek.
Publikimi i kësaj fotografie historike vjen në një moment të rëndësishëm për kuqezinjtë, të cilët do të përballen sërish me Poloninë në Varshavë, të enjten në mbrëmje, në ndeshjen e parë “play-off” për Kupën e Botës 2026.
Ky rikthim në të kaluarën shërben si frymëzim për përfaqësuesen shqiptare përpara një sfide vendimtare në arenën ndërkombëtare.

