Thomas Strakosha, portieri që po shkëlqen në Greqi mund të bëhet “Superman” në Poloni

Në prag të përballjes vendimtare ndaj Polonisë në “play-off”, një nga pikat më të forta të Shqipëria mbetet pa diskutim portieri Thomas Strakosha.

Gardiani kuqezi po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm me AEK Athinës, duke u shndërruar në një nga protagonistët absolutë të skuadrës.

Statistikat flasin qartë: 21 ndeshje pa pësuar gol në 40 paraqitje dhe vetëm 30 gola të pësuar në total në të gjitha kompeticionet,  një bilanc që konfirmon nivelin e tij të lartë dhe stabilitetin mes shtyllave.

Siguria, reflekset e Strakoshës kanë qenë vendimtare për sukseset e AEK-ut këtë sezon, ndërsa paraqitjet e tij kanë rikthyer besimin se Shqipëria ka një portier të klasit të lartë në një duel kaq të rëndësishëm.

Në një ndeshje ku çdo detaj mund të bëjë diferencën, prania e Strakoshës në portë përbën një garanci më shumë për kuqezinjtë.

Përballë një kundërshtari të fortë si Polonia, eksperienca dhe forma e tij mund të rezultojnë çelësi për të mbajtur të paprekur portën dhe për t’i dhënë Shqipërisë një shans real për kualifikim.

Muri i vërtet për momentin në ekipin kuqezi mban emrin: Thomas Strakosha.