KOMBËTARJA “HUMB” BETEJËN E SHIFRAVE/ Kuqezinjtë vlejnë 105 milionë euro më pak se polakët
Kombëtarja shqiptare vlen 105 milionë euro më pak se Polonia në merkato. Futbollistët kuq e zi vlerësohen 95 milionë euro, kundrejt 200 milionë të lojtarëve polakë. Me i shtrenjti në kombëtare është Anis Mehmeti me 14 milionë euro, ndërsa te Polonia, Kivior vlen 27 milion euro
Kombëtarja ka një diferencë të madhe me Poloninë përsa i përket vlerës së lojtarëve. Futbollistët kuq e zi vlejnë dy herë më pak se polakët në merkato. 26 lojtarët e grumbulluar nga Silvinjo kanë një vlerë prej 95 milionë eurosh sipas transfermarkt, kundrejt 200 milionë që vlejnë polakët.
Lojtari më i shtrenjtë i ekipit është mesfushori ofensiv Anis Mehmeti, i cili vlerësohet me 14 milionë euro. 24-vjeçari i cili është pjesë e Ipsuiçit në Angli, po kalon një moment mjaft të mirë, teksa në pak kohë vlera e tij u rrit nga 10 milionë euro në 14.
Pas tij renditet Kristjan Asllani me 13 milionë euro, ndërsa podiumin e plotëson Ernest Muçi me 11 milionë euro.
Në repartin ofensiv, Armando Broja ka pësuar një rënie në vlerë, duke u kuotuar aktualisht me 8 milionë euro.
Në mbrojtje, lojtari më i vlefshëm është Ardian Ismajli me 6 milionë euro, i ndjekur nga Mario Mitaj me 5.5 milionë euro dhe kapiteni i repartit Berat Gjimshiti me 5 milionë euro.
Në mesfushë dhe sulm, Myrto Uzuni dhe Julian Shehu vlerësohen respektivisht me 5 milionë dhe 3.5 milionë euro, ndërsa në portë, gardiani Thomas Strakosha kap shifrën e 3 milionë eurove.
Ndër lojtarët me vlerën më të ulët në këtë listë është mesfushori Qazim Laçi, i cili kuotohet me rreth 2.8 milionë euro.
Në kampin polak, në krye të listës qëndron mbrojtësi Jakub Kivior, i cili vlerësohet me 27 milionë euro, duke qenë lojtari më i shtrenjtë i ekipit. Pas tij renditet Cash me 22 milionë euro.
Surpriza e listës është talenti i ri Oskar, vetëm 17 vjeç, që ka arritur vlerën 20 milionë euro, duke u kthyer në një nga asetet më premtuese të Polonisë. Nicola Zalewski vlerësohet me 15 milionë €, ndërsa pas tij vijnë Zymański dhe Kamiński me 12 milionë €.
