KRIZË SHOFERËSH NË SHQIPËRI/ Ikja drejt Europës boshatis tregun duke detyruar bizneset rrisin pagat me 50%

Mungesa e fuqisë punëtore po i detyron bizneset në Shqipëri të rrisin ndjeshëm pagat, sidomos në sektorin e transportit.

Një nga arsyet kryesore lidhet me faktin që shumë punonjës të huaj nuk qëndrojnë gjatë në vend, por e përdorin si pikë kalimi drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Dy vite më parë, kompanitë e transportit përballeshin me vështirësi të mëdha për të gjetur shoferë kamionësh.

Shumë drejtues vendas u larguan drejt vendeve si Gjermania, ku pagat kalojnë 2 mijë euro në muaj. Për të përballuar këtë situatë, disa biznese nisën të punësonin punëtorë nga jashtë, përfshirë edhe nga Egjipti.

Megjithatë, kjo nuk e zgjidhi plotësisht problemin.

Si pasojë, kompanitë u detyruan të rrisin pagat me 30 deri në 50 për qind. Sot, një shofer kamioni në Shqipëri mund të paguhet deri në 2500 euro në muaj, një nivel shumë më i lartë krahasuar me disa vite më parë.

Edhe pse pagat janë rritur, ato ende mbeten më të ulëta se në disa vende të Europës.

Në Gjermani, një shofer kamioni paguhet deri në 4 mijë euro në muaj, ndërsa në Itali rreth 3 mijë euro.

Në Greqi paga mesatare arrin rreth 2100 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut lëviz nga 1300 deri në 2000 euro.

Problemet me mungesën e punonjësve nuk janë vetëm në transportin e mallrave. Vështirësi ka edhe në sektorin e shpërndarjes së produkteve ushqimore, si dhe në transportin urban.

Në Tiranë, operatorët e autobusëve po hasin mungesë shoferësh për linjat publike.

Për të mbajtur punonjësit, kompanitë kanë rritur edhe pagat në këtë sektor. Aktualisht, një shofer autobusi paguhet mesatarisht rreth 90 mijë lekë në muaj.