Avokati ngre alarmin: Tenderat abuzivë dhe krimi po rrisin çmimet e pronave në Shqipëri

I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, avokati Arbër Hoxhaj foli mbi lidhjet mes krimit të organizuar dhe strukturave shtetërore, ku u shpreh se një pjesë e këtij fenomeni ushqehet edhe nga abuzimet në nivele të larta të administratës dhe qeverisjes.

Ai theksoi se paratë e përfituara nga korrupsioni dhe tenderat publikë, në bashkëpunim me rrjetet kriminale, injektohen në ekonomi, duke deformuar tregun, rritur artificialisht çmimet e pronave dhe duke rënduar drejtpërdrejt mbi qytetarët.

‘Ata që abuzojnë me taksat dhe buxhetin e shtetit duhet të mbajnë përgjegjësi para ligjit’, u shpreh avokati

Pjesë nga deklarata:

Unë besoj se, historikisht, të paktën që prej krijimit të ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda, e më pas të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, kemi qenë në lartësinë e situatës. Nuk mund të them se kemi qenë në avangardë në raport me krimin e organizuar, por sigurisht që kemi qenë në nivelin e duhur. Ndonjëherë, shpeshherë edhe pa të drejtë, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe më pas Prokuroria e Posaçme, në kuadër të luftës ndaj krimit të organizuar, kanë konsideruar si të tilla edhe grupe të strukturuara kriminale që në fakt nuk i plotësonin kriteret. Pjesa dërrmuese e tyre nuk plotësonte as kushtet minimale; për shembull, për kultivimin e lëndëve narkotike, si kanabis sativa, mjaftonin tre apo katër fshatarë në majë të malit dhe më pas konsideroheshin e dënoheshin si grup i strukturuar kriminal.

Sigurisht që mafia nuk ka etni. Nëse flasim për krim të organizuar, jo për grupe të strukturuara kriminale, ai nuk ka etni. Në fund të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI, krimi i organizuar është bërë transnacional; pra nuk mund të flasim për krim të organizuar vetëm shqiptar. Ka elementë brenda strukturave të organizatave kriminale me etni apo shtetësi shqiptare, por ato janë ende në nivele, le të themi, bazike.

Ajo që është shqetësuese nuk është vetëm trafiku i lëndëve narkotike apo ai i qenieve njerëzore, i cili shpesh lihet në hije për shkak të vëmendjes së ulët mediatike. Trafiku i qenieve njerëzore dhe shfrytëzimi për prostitucion janë pjesë e strukturave kriminale dhe organizatave të tilla, por ajo që është bërë më shqetësuese, të paktën në dekadën e fundit në Shqipëri, është pastrimi i produkteve të veprës penale. Ky fenomen, në pamje të parë, duket sikur i jep një impuls ekonomisë, por kjo është vetëm “prima facie”, sepse në realitet e dëmton atë.

Nëse ndjekim logjikën ekonomike, jo vetëm parimin “follow the money”, por edhe arsyetimin bazë ekonomik, nuk ka kuptim që në shtete të zhvilluara, si Franca apo Italia, çmimet të jenë më të ulëta se në Shqipëri. Për shembull, në zona të caktuara në Itali, midis Genovës dhe Portofinos apo në Cinque Terre, çmimet mund të jenë rreth 2000 euro për metër katror, ndërsa në Vlorë arrijnë në 5000 euro dhe në Durrës në 3000 euro. Edhe në Nicë, që konsiderohet “crown jewel” i Côte d’Azur-it në Francë, çmimi është rreth 6000 euro. Nuk ka logjikë ekonomike që Vlora të jetë pothuajse në të njëjtin nivel me Nicën.

Kjo është panorama e përgjithshme. Është e qartë që jemi të papërgatitur në luftën kundër krimit të organizuar. Sekuestrimet dhe konfiskimet e kryera nga Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme shpesh kanë qenë të pamjaftueshme, ndonjëherë edhe të padrejta në thelb, duke dëmtuar individë të caktuar. Mjafton të shohësh ndërtimet në Tiranë apo në bregdet për të kuptuar situatën; nuk ka nevojë për analiza të gjata. Nuk ka nevojë as për OFL-në apo për aksione demonstrative; mjafton një verifikim i burimit të të ardhurave brenda një periudhe të arsyeshme.

Sot, një qytetar i thjeshtë që dëshiron të blejë një shtëpi duhet të paraqesë qindra faqe dokumente për të ardhurat, ndërsa në raste të tjera investohen miliona euro pa u kërkuar llogari për burimin e tyre. Kjo krijon një iluzion zhvillimi ekonomik. Në pamje të parë duket se jemi përpara vendeve të rajonit, por në thelb nuk është kështu.

Forcimi i lekut kundrejt euros nuk përputhet me realitetin ekonomik. Nëse do të kishim rritje të eksporteve, kjo do të ishte e justifikueshme. Por kur eksportet bien dhe leku forcohet, kjo tregon për një problem, që lidhet me injektimin e parasë cash në ekonomi. Ky fenomen po varfëron qytetarët. Një çift me të ardhura mesatare ka nevojë për 40–50 vite punë për të blerë një banesë.

Të gjitha këto janë pasoja të mosluftimit efektiv të krimit të organizuar. Ky i fundit nuk përbëhet vetëm nga individë që trafikojnë lëndë narkotike dhe dënohen me 10–20 vite burg, apo më shumë në rast të organizatave kriminale. Ai përfshin edhe individë në nivele të larta të administratës dhe politikës, të cilët në mënyrë sistematike abuzojnë me fondet publike dhe më pas i fusin këto para në ekonomi, shpesh në bashkëpunim me krimin e organizuar.

Ky është një fenomen që kërkon vëmendje serioze dhe luftë të mirëfilltë nga institucionet përkatëse. Siç u përmend, ndërkohë që janë dënuar persona të varfër për kultivim kanabisi si pjesë e grupeve të strukturuara kriminale, duhet që edhe ata që abuzojnë me taksat dhe buxhetin e shtetit të mbajnë përgjegjësi dhe të trajtohen me të njëjtin standard ligjor.