SURPRIZA NË “MIAMI OPEN”/ Alcaraz, Draper dhe Berettini eliminohen që në fillim! Sinner drejt dopietës

Miami Open sjell surpriza të mëdha, me eliminime të hershme të disa prej emrave më të rëndësishëm të tenisit.  Ndërkohë Jannik Sinner avancon dhe i afrohet vendit të parë, duke përfituar nga gabimet e rivalëve.

Turneu i Miami Open po dhuron surpriza të mëdha, me eliminimin e disa prej emrave më të rëndësishëm të momentit.

Numri një në botë, Carlos Alcaraz, zhgënjeu sërish këtë sezon, duke u mposhtur nga amerikani Sebastian Korda me rezultatin 6-3, 5-7, 6-4, pas një ndeshjeje të fortë dhe të lodhshme.

Ky eliminim i parakohshëm vë në rrezik kryesimin e spanjollit në renditje. Nga gara u largua edhe britaniku Jack Draper, i cili u mund nga Reilly Opelka në dy sete të vendosura në “tie-break” (7-6, 7-6).

Shërbimet e fuqishme të amerikanit rezultuan të papërballueshme për Draper, që vazhdon të vuajë nga mungesa e formës dhe problemet fizike.

Mbyllet rrugëtimi edhe për Matteo Berrettini, i cili u mposht nga monegasku Valentin Vacherot me rezultatin 7-6, 6-4.

Për Vacherot, kjo është një arritje historike, pasi për herë të parë kalon në fazën e 1/8-ve të Miami Open, ku do të përballet me Arthur Fils për një vend në çerekfinale.

Ndërkohë, përfiton nga këto eliminime numri dy në botë, Jannik Sinner, i cili kaloi pa probleme Damir Dzumhur me rezultatin 6-3, 6-3.

Italiani vijon rrugëtimin dhe do të përballet me Corentin Moutet, me synimin për të avancuar më tej dhe për të ngushtuar diferencën me Alcaraz në renditje, duke mbajtur gjallë objektivin për një tjetër triumf këtë sezon.