VIDEO/ INTERI E BËN DRAMË! Zikaltrit ngecin edhe ndaj Fiorentinës, titulli mbetet betejë e hapur

Fiorentina dhe Inter ndanë pikët pas barazimit 1-1 në stadiumin Artemio Franchi, në sfidën përmbyllëse të javës së 30-të në Serie A.

Zikaltrit e nisën ndeshjen në mënyrë perfekte, duke goditur që në aksionin e parë. Ishte Francesco Pio Esposito që realizoi me kokë pas vetëm 40 sekondash lojë, duke shfrytëzuar një asist të saktë nga Nicolo Barella.

Mesfushori italian do të gjente sërish rrugën e rrjetës në minutën e 7-të, por goli i tij u anulua për pozicion jashtë loje.

Vendasit reaguan gradualisht, duke krijuar disa raste të mira. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Interit, ndërsa fraksioni i dytë prodhoi më pak emocione dhe raste konkrete.

Kur ndeshja dukej se po shkonte drejt fitores së zikaltërve, në minutën e 77-të erdhi reagimi i Fiorentinës.

Cher Ndour shfrytëzoi një top të kthyer nga Sommer pas goditjes së Gudmundsson dhe e dërgoi në rrjetë, duke vendosur baraspeshën.

Në minutat shtesë, Interi kërkoi golin e fitores, por tentativa e Manuel Akanji u ndal nga portieri David De Gea, i cili ishte vendimtar për skuadrën vendase.

Me këtë rezultat, Fiorentina siguron një pikë të rëndësishme në luftën për mbijetesë, duke u ngjitur në kuotën e 29 pikëve në vendin e 16-të.

Nga ana tjetër, Interi regjistron një tjetër hap fals në garën për kreun, duke mbetur tashmë 6 pikë larg vendit të dytë.