Aliolli: Protesta e 22 marsit nuk është politike, por zë i qytetarëve
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News, deputetja e Partia Demokratike e Shqipërisë, Ledina Alolli, foli mbi protestën e thirrur nga opozita, duke e cilësuar atë jo thjesht si një tubim politik, por si një reagim qytetar ndaj situatës aktuale në vend.
"Dita e protestës përkon me dy momente me rëndësi simbolike për vendin: festën e Sulltan Nevruzi dhe përvjetorin e fitores së demokracisë më 22 mars 1992."
Sipas saj, kjo datë përfaqëson sakrificat e qytetarëve për liri, dinjitet dhe të drejta, ndërsa sot, pas më shumë se tre dekadash, shumë prej tyre përballen me vështirësi serioze ekonomike.
Deputetja u shpreh se protesta e opozitës duhet parë si një reagim i gjerë qytetar ndaj varfërisë në rritje, kushteve të vështira të jetesës dhe fenomenit të shpopullimit.
Ajo nënvizoi se pjesëmarrësit nuk janë vetëm anëtarë apo simpatizantë të Partisë Demokratike, por edhe qytetarë të thjeshtë nga zona të ndryshme të vendit, të cilët, sipas saj, janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre.
Sipas Alollit, grupe qytetarësh nga qarqe të ndryshme, përfshirë Korçë, i janë bashkuar protestës si individë dhe jo vetëm për arsye politike.
Ajo argumentoi se kushtet e vështira ekonomike dhe largimi i vazhdueshëm i qytetarëve nga vendi janë tregues të një situate të rënduar, e cila, sipas saj, kërkon reagim dhe ndryshim.
Në këtë kuadër, protesta e thirrur nga opozita pritet të shërbejë si një platformë ku qytetarët të shprehin pakënaqësitë e tyre dhe kërkesat për ndryshim, duke e konsideruar atë si një reagim të drejtpërdrejtë ndaj situatës socio-ekonomike në vend.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË:
