Rama ndan pamje nga Mozaiku i Tiranës: Zbulime arkeologjike nga antikiteti po përgatiten për publikun

 Kryeministri Edi Rama ka ndarë një video nga Mozaiku i Tiranës, duke vënë në pah vlerat e trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit.

Përmes një postimi, Rama bëri të ditur se në këtë sit të rëndësishëm arkeologjik po përgatiten për ekspozim mozaikë dhe materiale të ndryshme që i përkasin periudhës së antikitetit.

Sipas tij, këto zbulime përbëjnë një dëshmi të çmuar të historisë dhe identitetit kulturor shqiptar.

“MIRËMËNGJES dhe me Mozaikun e Tiranës, ku po përgatiten për publikun mozaikë dhe materiale arkeologjike nga antikiteti, si dëshmi e rëndësishme e historisë dhe trashëgimisë sonë kulturore, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama.

Mozaiku i Tiranës konsiderohet një nga monumentet më të rëndësishme të periudhës romake në vend dhe prej vitesh është pjesë e projekteve për restaurim dhe promovim turistik.

Ekspozimi i materialeve të reja pritet të rrisë interesin e vizitorëve dhe të kontribuojë në njohjen më të gjerë të trashëgimisë kulturore shqiptare.