Karburant më i lirë në Serbi/ Vuçiç ndërhyn dhe ul akcizat në produktet e naftës në 40%

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka njoftuar se shteti do të ul akcizat në produktet e naftës për 40 për qind.

Qëllimi është të parandalohet rritja e çmimeve në pompë dhe të sigurohet furnizim i mjaftueshëm me karburant.

Vuçiç tha se kjo masë është një sakrificë për buxhetin e shtetit, pasi Serbia humb të ardhura nga akcizat, por qytetarët nuk duhet të shqetësohen sepse vendi ka rezerva të bollshme.

Një javë më parë, Serbia kishte ulur akcizën për 20 për qind, që i kushtonte shtetit rreth 35 milionë euro në muaj.

Para këtij vendimi, taksat shtetërore përbënin mbi gjysmën e çmimit të litrit të benzinës dhe dieselit.

Masat e reja synojnë të mbajnë çmimet nën kontroll, ndërsa konflikti në Lindjen e Mesme ka rritur çmimet globale të karburanteve dhe ka ndikuar në zinxhirin e furnizimit.

Situata është e ngjashme edhe në Kosovë, ku qeveria ka vendosur masa për të kufizuar fitimet nga shitja e naftës, në mënyrë që çmimet të stabilizohen gjatë muajve të verës.

Ndërkohë, transporti detar përmes Ngushticës së Hormuzit është ulur ndjeshëm, duke ndikuar në furnizimin global me naftë.

Serbia dhe vendet e rajonit po përpiqen të mbajnë çmimet nën kontroll për të mbrojtur qytetarët nga ndikimi i rritjes së çmimeve globale.